Mësim online në Universitetin “Luigj Gurakuqi”

Në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” viti i ri akademik mund të jetë pjesërisht online.

Vendimin e bëri me dije Rektorja e universitetit, Suzana Golemi, e cila sqaroi planifikimin për të alternuar mësimin në auditor me mësimin nëpërmjet përdorimit të platformave të unifikuara.

“Janë marrë masa nga drejtorët e departamentit për të përcaktuar sallat ku do të zhvillohet mësimi, sa është numri i vendeve që mund të zhvillojnë mësim, duke pas prioritet që mësimi të zhvillohet në auditor por meqënëse shumë degë dhe programe studimi kanë shumë studentë, me vendim senati do të vendoset për ato degë që kanë shumë studenta, të zhvillohen leksionet online. IT ka bërë një program. Platforma do të na ndihmojë ne për disiplinimin e veprimtarisë mësimore”.

Këtë vit në Universitetin “Luigj Gurakuqi” do të hapen dy degë të reja, ajo e udhërrëfyesit turistik dhe teknik rrjetesh.

“Në Universitetin e Shkodrës nuk ka asnjë degë që nuk do të hapet. Për momentin janë shkolla profesionale, njëra për teknik sistemesh dhe rrjetesh në departamentin e matematikës, nuk ka asnjë vend bosh dhe i dyti është udhërrëfyesit turistik dhe menaxhues i itinerareve per rajonin veror”.

Krahasuar me vitin e shkuar, numri i regjistrimeve në Universitetin e Shkodrës ka pësuar një rritje, teksa interesi është shtuar edhe nga studentët e trevave të Malit të Zi, Kosovës por edhe Maqedonisë së Veriut.

Tv Klan