
Ka nisur procesi i regjistrimit të nxënësve që do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës, si edhe i atyre që do të nisin arsimin e mesëm. Duke filluar nga kjo e hënë, prindërit mund të kryejnë aplikimet përmes portalit eAlbania, ndërsa afati i regjistrimeve zgjat deri më 31 korrik.
“Afati është 6 korrik deri në 31 korrik, në E-Albania të gjithë prindërit duhet të fillojnë procesin e regjistrimit në shkollë. Me shumë rëndësi për fëmijët që regjistrohen për herë të parë në klasë të parë, por edhe ata që kalojnë nga cikli 9-vjeçar në shkollën e mesme, pra në klasën e 10-të, është shumë e rëndësishme të ndiqni udhëzimet në E-Albania”, tha ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u bëri thirrje prindërve të respektojnë afatet dhe kriteret e regjistrimit, duke theksuar se nxënësit duhet të regjistrohen në shkollat e përcaktuara sipas vendbanimit.
“Duhen respektuar rregullat për të regjistruar fëmijët në ato shkolla që janë përcaktuar pranë vendbanimit tuaj. Është shumë e rëndësishme, shumë e dobishme, për të bërë planifikimin e orëve të mësimit, e shkollave, si për bashkitë, ashtu edhe për Zyrat Vendore Arsimore që kanë nisur punën për vitin e ardhshëm”, shtoi Kumbaro.
Për gjimnazet me kohë të pjesshme regjistrimet do të vijojnë deri më 11 shtator, ndërsa për shkollat e mesme profesionale aplikimet përmes portalit eAlbania do të pranohen deri më 30 shtator.




