
Kuotat zyrtare për programin master në Psikologji Shëndeti pranë departamentit të lëndëve paraklinike në Universitetin “Luigj Gurakuqi” janë 60, por sipas drejtuesit të departamentit, çdo vit numri i studentëve të pranuar shkon deri në 80, për shkak të kërkesës së lartë nga të rinjtë që synojnë këtë fushë studimi.
“Masteri profesional që është master profesional në psikologji shëndeti. Ne i planifikojmë 60 kuota, por asnjëherë nuk keni ngel me 60 kota, gjithmonë 80 e sipër. Edhe ky vit që është aktual ka 81 kuota. E kërkojnë jashtëzakonisht shumë sepse realisht ka edhe mungesë të mastrave, por që është masa që ka dhënë rezultate në vitet që në vitin 2012 që është hapur herë të pare”, tha Julian Kraja, shef i Departamenti të Lëndëve Paraklinike.
Kraja thekson se ky program ofron mundësi të gjera për zhvillim profesional, duke i përgatitur studentët për t’u integruar jo vetëm në institucionet shtetërore, por edhe në sektorin privat. Pas përfundimit të studimeve, të diplomuarit kanë mundësi punësimi në struktura shëndetësore dhe sociale, ndërsa një pjesë e tyre zgjedhin të zhvillojnë aktivitet të pavarur, përmes hapjes së klinikave apo qendrave të fizioterapisë dhe shërbimeve të lidhura me shëndetin.
“Pavarësisht tregut të dobët në shtet, ndryshe nga programi i maminisë apo programeve të tjera të shkencave mjekësore teknike, këto aplikojnë krejt bukur me bizneset e tyre. Janë shumë të kënaqur me pjesën e që ofron tregu”, tha Kraja. Interesi në rritje për këtë program lidhet ngushtë me kërkesat e tregut të punës dhe rëndësinë gjithnjë e më të madhe që po merr shëndeti mendor dhe mirëqenia fizike në shoqëri./rtsh




