
Në shkollën e mesme të Bashkisë Vau i Dejës, një mësuese e lëndëve Biologji-Kimi rrezikon të humbasë vendin e punës, pasi ish-drejtori i shkollës, tashmë i kthyer në mësues, ka marrë pjesën më të madhe të orëve të saj mësimore, duke e zëvendësuar plotësisht me 20 orë në javë.
Përveç kësaj, gjatë kohës kur mësuesja ishte me leje lindjeje, është hequr nga borderoja e shkollës për një vit të tërë. Ky veprim duket se është pjesë e një skeme të planifikuar për t’i siguruar vendin e punës vetes, duke i zënë vendin koleges së tij.
Për të krijuar hapësirë për orët e ish-drejtorit, planifikimi mësimor është reduktuar në mënyrë të qëllimshme. Kjo situatë ka çuar në shkelje të rënda administrative, ku një mësuese me rreth 15 vite përvojë rrezikon të mbetet pa punë.
Pas daljes në pension të drejtorit Kapedanja, në krye të shkollës emërohet Elis Celepia, i cili e thërret mësuesen në zyrë dhe i komunikon se në qershor kontrata e saj përfundon dhe nuk do të rinovohet.
Aktualisht në shkollë ka vetëm dy mësues të së njëjtës lëndë (Biologji-Kimi), me rreth 110 nxënës, dhe asnjëri prej tyre nuk plotëson normën e orëve. Megjithatë, mësuesja është me kontratë definitive që prej vitit 2011, me 20 orë në javë. Përse ndodhi ndarja e orëve dhe futja e z. Shimaj në vend të saj? Përgjigjja duket e qartë – synimi për ta mbajtur patjetër në shkollë, në mënyrë që të mos mbetej pa punë pas largimit nga detyra drejtuese.
Kjo është një skemë e mirëorganizuar, në dëm të koleges, e cila sapo kishte sjellë në jetë vajzën dhe nuk ishte në dijeni të zhvillimeve që po ndodhnin gjatë mungesës së saj.
Mësueses i kërkohet tani të marrë pjesë në një garë, që sipas saj dhe ekspertëve të arsimit, është e pabarabartë. Ish-zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, thekson se asaj i janë shkelur dy të drejta themelore. Ndërkohë, në përpjekje për të marrë një prononcim nga z. Shkëlqim Shimaj, ky i fundit shmang çdo përgjigje dhe largohet me nxitim.
Edhe përballja me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive rezulton pa sukses. Në përpjekjen e parë, nuk ka asnjë reagim, madje ka reagime agresive nga rojet e sigurisë. Drejtoresha Etleva Gjelaj nuk jep asnjë qëndrim ligjor, ndërsa në takimin e dytë, edhe pse më e përgatitur, mbështet idenë që z. Shimaj do të jetë mësuesi definitive, pavarësisht faktit që ka ende një garë përpara.




