Presidenti Meta vlerëson me dekoratën ”Nderi i Kombit” ish-futbollistin shkodran Sabah Bizi: Bekenbaueri shqiptar! Ja çfarë më ka thënë Bamir Topi si tifoz i Tiranës

Sabah Bizi është një nga legjendat dhe talentet më të mëdha të futbollit shqiptar, titullar i ‘Vllaznisë’, i ‘Partizanit’ dhe i Ekipeve tona Kombëtare, nga ata futbollistë, të cilët lindin shumë rrallë, që me punën, aftësinë e përkushtimin e Tij ka kontribuar në rezultatet më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, por dhe në rritjen e krenarisë dhe të imazhit tonë kombëtar.

Në treshen e artë të ‘Vllaznisë’: Bizi-Rragami-Zhega ai ishte gjithçka në formacionin e saj, por gjithashtu edhe në Kombëtaret tona.

Pa ngurrim mund të themi se Bizi është futbollisti më i gjithanshëm në historinë futbollit tonë.

Me mesfushorin ai solli tiparet moderne të këtij roli duke qenë njeriu që udhëhiqte gjithë skuadrën.

E kujtojmë Bizin për atë teknikë racionale, të milimetruar, për atë kilometrazh lëvizjeje në gjithë fushën si askush tjetër, për atë pasim të pagabueshëm, organizator e bllokues i njëkohshëm dhe golashënues i saktë përmes golave që nuk harrohen ende sot.

Për talentin e jashtëzakonshëm dhe kontributin e çmuar në arritjen e rezultateve të larta në futboll me Ekipin Kombëtar dhe ekipet “Vllaznia” e “Partizani”, si legjendë e fushës së blertë i përmasave europiane në historinë e futbollit tonë, personalitet i dashur e i respektuar, si dhe burim frymëzimi për të gjithë brezat e rinj, pata sot nderin dhe privilegjin ta vlerësoj Sabah Bizin, pikërisht në qytetin e tij, në Shkodrën tonë të dashur, me Titullin e lartë “Nderi i Kombit”. ⚽🇦🇱