Rritet numri i automjeteve elektrike – DPSHTRR: 83.3% e totalit të regjistrimeve të reja janë Euro 5…

Shpërndaje

Regjistrimi i automjeteve me standarde të larta mjedisore dhe i mjeteve elektrike ka shënuar rritje gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, duke dhënë një ndikim pozitiv në uljen e ndotjes së ajrit në vend.

Sipas raportit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor për periudhën janar–qershor 2026, zgjerimi i flotës së mjeteve “All-Electric” po kontribuon ndjeshëm në reduktimin e emetimeve të gazrave që ndikojnë në ndryshimet klimatike dhe në cilësinë e ajrit.

Të dhënat tregojnë se mjetet plotësisht elektrike kanë sjellë një ulje të emetimeve prej rreth 7 milionë e 542 mijë kilogramë dioksid karboni në vit. Sipas DPSHTRR- së, kjo është e barasvlershme me efektin e 251.416 mushkërive ambientale më të pastra, duke reflektuar ndikimin pozitiv që ka përdorimi i automjeteve elektrike në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik.

Paralelisht me rritjen e numrit të mjeteve elektrike, evidentohet edhe përmirësimi i standardeve mjedisore të automjeteve që regjistrohen për herë të parë në vend. Sipas të dhënave të DPSHTRR- së, 83.3% e autoveturave të regjistruara gjatë kësaj periudhe i përkasin kategorisë mjedisore Euro 5 e sipër, standarde që garantojnë nivele më të ulëta të ndotjes krahasuar me automjetet e gjeneratave më të vjetra.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025, pesha e automjeteve me standarde Euro 5 e sipër është rritur me 9.3%, ndërsa krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, rritja arrin në 17%.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, këto tregues dëshmojnë se flota e automjeteve në Shqipëri po modernizohet gradualisht, me një orientim gjithnjë e më të madh drejt mjeteve më pak ndotëse dhe teknologjive më miqësore me mjedisin.

Rritja e përdorimit të automjeteve elektrike dhe e mjeteve me standarde të larta mjedisore kontribuon jo vetëm në uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit, por edhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit në zonat urbane, duke krijuar kushte më të mira për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.

Shpërndaje