Qeveria ndryshon rregullat për privatizimin e pronës shtetërore, miratohet paketa e re…

Shpërndaje

Qeveria ka miratuar një paketë të gjerë ndryshimesh dhe shtesash në vendimin nr. 926/2014 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet, dhe procedurën e shitjes”. Nisma e propozuar nga Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit sjell një terminologji të re zyrtare, rikonfiguron komisionet e vlerësimit, saktëson afatet e çmimet për vlerësuesit, si dhe përditëson rregullat për ankandet, të drejtën e parablerjes dhe pronat e dhëna me qira ose enfiteozë.

Me anë të këtij akti, togfjalëshi “pronë publike” zëvendësohet kudo me “pronë shtetërore”, ndërsa termi “genplan” plotësohet me “genplan/planrilevim”.

Ndryshimet në përbërjen e komisionit dhe shpërblimi i ekspertëve

Rregullat e reja rikonfigurojnë Komisionin e Vlerësimit të Pronës Shtetërore, i cili do të ngrihet nga ministri përgjegjës për ekonominë. Komisioni do të përbëhet nga 3 anëtarë: përfaqësuesi i strukturës përgjegjëse për privatizim (që e kryeson), një ekspert vlerësues i licencuar dhe një përfaqësues i institucionit ose ndërmarrjes që ka në administrim pronën.

Dokumenti zyrtar përcakton gjithashtu tavanet financiare dhe mënyrën e pagesës për ekspertët vlerësues të përzgjedhur:

“Pagesa e ekspertëve përcaktohet, si më poshtë: a) 5% e vlerës së objektit të vlerësuar deri në 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, por jo më pak se 100 000 (njëqind mijë) lekë pa TVSH; b) 4% e vlerës së objektit të vlerësuar për vlera mbi 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, por jo më pak se 500 000 (pesëqind mijë) lekë dhe jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë, pa TVSH.”, theksohet në vendim.

Pagesa kryhet vetëm pas dorëzimit dhe pranimit zyrtar të raportit përfundimtar. Ekspertëve u vendoset një afat prej jo më shumë se 30 ditësh për dorëzimin e raportit për ndërtesa e linja prodhimi, dhe deri në 20 ditë për makineritë e mjetet e transportit.

Procedurat e reja për kadastrën, ish-pronarët dhe ankandet

Sa i përket bashkëpunimit me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), genplani/planrilevimi i përgatitur në 5 kopje do t’i përcillet ASHK-së për marrjen e kartelave, hartave dhe kufizimeve që rrjedhin nga vendimet gjyqësore ose të KKKP-së.

Lidhur me të drejtën e parablerjes dhe procedurat kur ish-pronarët nuk paraqesin dokumentacionin pas njoftimit të parë prej 20 ditësh, vendimi saktëson se “bëhet njoftim në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për ekonominë dhe në mjediset e pronës shtetërore, duke u përcaktuar një afat i ri prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh për dorëzimin e dokumentacionit ligjor. Nëse edhe brenda këtij afati të dytë dokumentacioni nuk paraqitet, prona shtetërore kalon për shitje me ankand, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim.”

Për objektet ndërtimore që dalin në ankand jo më pak se 3 herë brenda 12 muajve pa shfaqje interesi, dokumentacioni do t’i kalojë Agjencisë së Trajtimit të Pronës për t’u përdorur si fond kompensimi fizik.

Privatizimi i pronave me qira ose enfiteozë dhe investimet mbi 5 milionë euro

Vendimi zgjeron hapësirën rregullatore duke përfshirë zyrtarisht edhe kontratat e enfiteozës pranë atyre të qirasë. Për subjektet që gëzojnë të drejtën e privatizimit të pronës që kanë pasur me qira ose enfiteozë, vendoset si kusht kryesor kryerja e investimeve madhore.

Në aktin e ndryshuar përcaktohet veçanërisht se “qiramarrësi/emfiteozëmarrësi të ketë kryer investime në vlerë mbi 5 (pesë) milionë euro.”

Për më tepër, blerësi do të ketë detyrimin për të realizuar vlerën e plotë të investimit sipas planbiznesit brenda afatit të parashikuar në kontratën e mëparshme, çka do të pasqyrohet si kufizim direkt në kartelën e pasurisë në Kadastër.

Në dispozitat kalimtare theksohet se rregullat e reja do të zbatohen edhe për të gjitha kërkesat e nisura që janë ende të papërfunduara, ndërsa zbatimi i këtij vendimi i ngarkohet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Shpërndaje