
Vllaznia e ka nisur me fitore aventurën në UEFA Conference League, duke mposhtur me përmbysje 2-1 skuadrën e Malishevës në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”.
Takimi nisi në mënyrën më të mirë për miqtë nga Kosova, të cilët kaluan në epërsi që në minutën e 3-të. Xhylani shfrytëzoi një goditje nga këndi dhe realizoi një gol të bukur, duke i dhënë avantazhin Malishevës.
Pas pësimit të golit, kuqeblutë morën kontrollin e lojës dhe arritën të rikthejnë baraspeshën në minutën e 37-të, kur Qato dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 1-1, me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë, Malisheva mbeti me një lojtar më pak, pasi Skovgaard u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje ndaj Kubazit.
Nga goditja e dënimit që pasoi, Musta u tregua i saktë dhe realizoi golin që përmbysi rezultatin në favor të Vllaznisë. Në minutat e mbetura të dyja skuadrat krijuan raste për shënim, por rezultati nuk ndryshoi më.
Në përfundim, Vllaznia siguroi një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Malishevës, duke hedhur një hap pozitiv në rrugëtimin e saj europian.




