
Holli i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Shkodrës u shndërrua në një pikëtakim mes studentëve dhe botës së punës, gjatë organizimit të Panairit të Punës dhe Karrierës.
Në aktivitet morën pjesë dhjetëra biznese, institucione publike dhe organizata lokale, të cilat prezantuan mundësi konkrete punësimi, praktika profesionale dhe trajnime për të rinjtë. Studentët patën rastin të njihen më nga afër me kërkesat dhe nevojat aktuale të tregut të punës.
Sipas drejtuesve të universitetit, panairi, i organizuar për të dytin vit radhazi, synon të afrojë studentët me tregun dhe t’i ndihmojë ata të përgatiten për sfidat profesionale pas përfundimit të studimeve.
Universiteti i Shkodrës vijon të mbetet institucioni më i rëndësishëm i arsimit të lartë në veri të vendit, duke ofruar programe studimi që lidhen drejtpërdrejt me nevojat e tregut vendas.
Veçanërisht degët e Infermierisë, Informatikës dhe programet e Fakultetit Ekonomik po rezultojnë ndër më të kërkuarat, falë mundësive të shumta për punësim në sektorin privat dhe në fushën e teknologjisë.




