
Me iniciativën e Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë, Kolë Gjoka, janë hedhur hapat e parë për një bashkëpunim afatgjatë mes Shkollës Europiane Profesionale në Elmshorn dhe katër shkollave profesionale nga Shqipëria.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, në Elmshorn u zhvillua një vizitë ku morën pjesë katër mësuese nga institucione të ndryshme arsimore shqiptare: nga shkolla “Shën Jozefi” në Mirditë, “Kolin Gjoka” në Lezhë, Shkolla Profesionale Kamëz dhe “Enver Qiraxhi” në Pogradec.
Sipas konsullit Gjoka, ky bashkëpunim do të përqendrohet në fusha si informatika, elektroteknika, gastronomia dhe hoteleri-turizmi. Ai theksoi se shkëmbimi i eksperiencave mes shkollave pritet të ketë ndikim pozitiv në cilësinë e mësimdhënies dhe në orientimin e të rinjve drejt arsimit profesional.
Gjatë vizitës, delegacioni u prit nga kryetari i Bashkisë Elmshorn, Erik Sachse, si dhe nga presidenti i qarkut, Helmuth Ahrens, të cilët vlerësuan dhe mbështetën këtë nismë bashkëpunimi.
Një vlerësim i veçantë u shpreh edhe për stafin e shkollës gjermane për mikpritjen dhe organizimin e programit të vizitës.





