
Në ambientet e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua sot ekspozita “Tekstil–Design Ekspo”, e cila solli në vëmendje krijimtarinë e studentëve të vitit të dytë Bachelor në fushën e dizajnit tekstil.
Ekspozita përfshiu rreth 100 punime, të realizuara mbi bazën e motiveve popullore dhe të kombinuara me aplikime digjitale bashkëkohore. Projektet shërbyen njëkohësisht si vlerësim semestral për studentët dhe si një hapësirë reflektimi mbi ndërthurjen e traditës kulturore me artin dhe dizajnin modern.
Punimet u realizuan nën drejtimin e pedagoges Prof. Erëmirë Jahja, ndërsa ekspozita u çel në Atelierin e pikturës, në katin e tretë të Rektoratit. Aktiviteti u ndoq nga studentë, pedagogë dhe dashamirës të artit dhe dizajnit.
Sipas organizatorëve, ekspozita synon të nxisë kreativitetin e të rinjve dhe të promovojë ruajtjen dhe riformulimin e trashëgimisë tekstile në gjuhën e dizajnit bashkëkohor.












