
Me një ceremoni të mbajtur mes kolegësh, miqsh dhe përfaqësuesish të komunitetit arsimor, është vlerësuar puna dhe kontributi shumëvjeçar i Vjollca Jahajt, me rastin e përfundimit të karrierës së saj profesionale dhe daljes në pension.
E lindur në Shkodër, ajo i kushtoi mbi 40 vite arsimit dhe shërbimit social, duke ushtruar detyrën si mësuese, psikologe dhe drejtuese në institucione të ndryshme arsimore të qytetit.
Rrugëtimin profesional e nisi në shkollën 9-vjeçare “Përparimi”, ku për vite me radhë punoi me nxënës të brezave të ndryshëm, ndërsa më pas dha kontribut edhe në konviktet “Safet Spahiu” dhe “Prenkë Jakova”.
Po ashtu, Jahaj ka qenë pedagoge pranë Fakultetit të Shkencave të Edukimit, ku ka ndarë eksperiencën dhe njohuritë e saj me studentët dhe mësuesit e ardhshëm.
Një pjesë e rëndësishme e angazhimit të saj lidhet me drejtimin e Shkollës Speciale “3 Dhjetori”, detyrë të cilën e mbajti prej vitit 2015, duke punuar për përfshirjen dhe mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në procesin edukativ.
Puna e saj në fushën e arsimit dhe psikologjisë është vlerësuar ndër vite nga kolegët, prindërit dhe institucionet arsimore në Shkodër.
Krahas angazhimit profesional, Vjollca Jahaj ka qenë aktive edhe në aktivitete humanitare. Gjatë përmbytjeve të vitit 2010 në Shkodër, ajo kontribuoi në ndihmë të familjeve të prekura, duke marrë pjesë në organizime sociale dhe humanitare.
Për këtë aktivitet është vlerësuar nga organizata dhe shoqata shqiptaro-italiane, ndërsa më vonë mori edhe drejtimin e një prej shoqatave humanitare në qytetin e Shkodrës.




