Bllokimi i rrugës së Rinasit, reagojnë dy deputetet e Shkodrës…

Reagimi i Greta Bardelit:
⛔️Qytetarët e Qarkut Shkodër, Lezhë dhe gjithë Veriut pa asnjë diskutim penalizohen tepër nga mbyllja e qarkullimit në drejtim të rrugës drejt aeroportit “Nënë Tereza”.
➡️Vendim i nxituar pa marrë në konsideratë interesat e komuniteteve dhe veçanërisht veriut të vendit që goditet vazhdimisht nga vendimet e qeverisë!
👉Si deputete e Qarkut Shkodër kërkoj menjëherë hapjen e rrugës në 2 drejtime nga kryqëzimi i Ahmetaq (kthesa për aeroport kur vjen nga veriu) deri te rrethrrotullimi i statujës së “Nënë Terezës”. Qeveria menjëherë të heqë dorë nga kokëfortësia , përndryshe protestat e banorëve të Rinasit do të mbështeten nga Shkodra, Lezha e kudo nga veriu ku preken interesat e qytetarëve!
👉Nuk është faji i qytetarëve që qeveria hedh paratë për interesat e vilave të korrupsionit duke u çuar tunele te dera e vilave në bregdet dhe asnjë investim aty ku duhet!
📍Rruga e aeroportit sot duhet të ishte me 4 kalime, ndërsa Lezhë, Shkodër duhet te ishte investuar në nivelin e autostradave ndërkombëtare si pjesë e rëndësishme e Korridorit Europian të Adriatikut.

Reagimi i Emilia Koliqit:
Qarkullimi i automjeteve, që vijnë nga Veriu i Shqipërisë në drejtim të aeroportit të Rinasit me një sens lëvizje me drejtimin Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport, ka krijuar një kosto të rritur për gjithë banorët e Veriut.
Për një udhëtim drejt aeroportit, duhet të marrin automjete enkas dhe të ndjekin një rrugë 20 km më të gjatë se ajo ekzistuese. Kjo, në një kohë kur çmimet e karburantit po vijnë gjithnjë në rritje.
Me datën 1 mars 2022 çmimi për fuçi në tregjet ndërkombëtare ishte 105$ dhe në tregun vendas ishte 192 lekë.
Qeveria, tashmë ka krijuar Bordin e Transparencës, gjoja në ndihmë të qytetarëve,
Por, sot me datë 4 prill 2022, kur çmimi për fuçi në tregjet ndërkombëtare është njëlloj sa me datë 1 mars, çmimi i caktuar nga Bordi është 243 lekë për litër.
Rritje çmimi nga vetë qeveria me 27% dhe rritje e kilometrave për t’u përshkuar.
Banorët e Rinasit janë ngritur në protestë por këto protesta do të përshkallëzohen, pasi kjo nuk është zgjidhja.
Po kur të fillojë fluksi i madh gjatë sezonit turistik dhe të bllokohet e gjithë rruga nga Lezha deri në Vorë, çfarë zgjidhjeje do të japë Autoriteti Rrugor Shqiptar!?
A do të vazhdohet përsëri me politikën e izolimit të Veriut, mungesën e investimeve, refuzimin e ndërtimit të segmentit rrugor të autostradës Adriatiko- Joniane: Muriqan, Balldre, Milot, Thumanë, Kashar e në vijim?!