
Studentët e vitit të tretë të Financës në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” kanë arritur një sukses të rëndësishëm në Konkurset Kombëtare të Aftësive, të zhvilluara më 14–16 nëntor në Piramidën e Tiranës nga Albanian Skills, në bashkëpunim me Skills AlbanIA dhe AKPA.
Enis Meti, Ylber Velaj dhe Albian Ujkaj përfaqësuan universitetin në kategorinë Entrepreneurship & Business Development me projektin e tyre inovativ “Neuronify AI” – një agjenci automatizimi me inteligjencë artificiale. Ideja e tyre u vlerësua për kreativitetin dhe qasjen bashkëkohore në sipërmarrje.
Pas tre ditësh pune intensive dhe konkurrencë të fortë, ekipi u shpall fitues i vendit të parë, duke siguruar të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në EuroSkills 2026.
Ky rezultat cilësohet si një prej arritjeve më të rëndësishme të studentëve të Fakultetit Ekonomik, duke treguar potencialin dhe aftësitë profesionale të brezit të ri universitar.




