
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka nderuar sot pedagogun dhe kampionin e boksit Nelson Hysa, pas fitoreve të tij të jashtëzakonshme në eventin ndërkombëtar Fury Fight Club 5, ku ai rrëmbeu dy tituj botërorë – WBO Kampion i Globit dhe WBA World Champion GOLD.
Rektori i UNISHK, Tonin Gjuraj, priti Hysën në një takim vlerësues, duke e përgëzuar për arritjet e tij dhe duke theksuar se ky sukses përfaqëson një “emocion të dyfishtë” – si në aspektin njerëzor, ashtu edhe akademik.
“Si pjesë e stafit tonë pedagogjik, Nelson Hysa e nderon Shkodrën dhe UNISHK-un. Kjo arritje rrit vlerën e institucionit dhe zë një vend të veçantë në historinë e tij,” tha Rektori Gjuraj.
Në takim morën pjesë edhe Dekania e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Eranda Halluni Bilali, si dhe pedagogët Benjamin Nako dhe Xhulio Zefi.
Me përkushtim dhe pasion, Nelson Hysa mishëron bashkimin mes sportit dhe arsimit, duke u bërë model frymëzimi për studentët dhe të rinjtë që ëndërrojnë të arrijnë majat.







