
Në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u firmos sot një marrëveshje bashkëpunimi akademik me Tirana Business University College. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi i lidhjeve ndërinstitucionale dhe shkëmbimi i përvojave në fushën e arsimit të lartë.
Ceremonia zyrtare u zhvillua në praninë e drejtuesve të dy institucioneve. Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, dhe Rektorja e TBU-së, Prof. Dr. Vasilika Kume. Të dy palët theksuan rëndësinë e këtij partneriteti për zhvillimin akademik dhe profesional.
Ky bashkëpunim synon të nxisë:
- Shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve në nivele universitare dhe pasuniversitare;
- Organizimin e shkollave verore, seminareve dhe aktiviteteve të përbashkëta;
- Projekte të përbashkëta kërkimore dhe akademike;
- Bashkëpunimin në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit;
- Nisma për rritjen e cilësisë së arsimit dhe kërkimit shkencor.
Palët u angazhuan për një bashkëpunim afatgjatë në përputhje me Deklaratën e Bolonjës dhe standardet evropiane të arsimit të lartë.
Kjo marrëveshje përbën një hap tjetër të rëndësishëm në zgjerimin e partneriteteve strategjike të Universitetit të Shkodrës me institucione të arsimit të lartë në vend.






