Sali Berisha paralajmëroi se të dielën do të dorëzojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrim të Partisë Demokratike për të marrë pjesë në betejën elektorale të 14 Majit, duke e cilësuar të pavlerë vendimin e marrë nga Gjykata e Apelit për vulën dhe logon e kësaj force politike.
“Nesër do të dorëzojmë të gjitha dokumentet për regjistrim. Vendimi i gjykatës deri sa të vendosë gjykata më e lartë, sepse ky vendim është plotësisht i rikursueshëm në natyrën e tij. Por ka një arsye tjetër po kaq të fortë. Kodi Zgjedhor në nenin 64, pika 2, b; detyron që të jetë emri i kryetarit të Partisë, adresa dhe gjithçka tjetër rreth tij. Në deklaratën e tij se nuk do të blejë vota, nuk ka parashikuar se kryetari është i blerë vetë”.
Nga mbledhja e grupit ai ftoi kreun e KQZ-së që t’i përmbahet detyrimeve të Kodit Elektoral.
“Them se do t’i përmbahet ligjeve dhe kodit dhe nuk do të lozë me një procedurë të tillë, e cila damkos zgjedhjet, institucionin e administrim të tyre”.
Berisha tha se betejën do ta vijojë si shumicë me demokratët, duke akuzuar Bashën e Alibeajn si vegla të kryeministrit.
“Unë i bëj thirrje çdo demokrati, demokrateje që mund të ketë patur edhe dyshimin, kundërshtinë apo lëkundjen më të vogël, të dënojë vetëposhtërimin e veglave të tij, Basha-Brava të cilët dëshmojnë se janë skllevër të aferave të tyre”.
Por regjistrimi në KQZ nuk është i vetmi hap që Berisha me të tijët do të ndërmarrë.
“Ne do të bëjmë rekurs, në Gjykatën e Lartë, Kushtetuese dhe në Gjykatat Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Më herët pas mbledhjes së kryesisë Berisha tha se ishte diskutuar edhe për mënyrën e regjistrimit në zgjedhje, ku ajo e koalicionit shihej si opsioni më i mirë.
“Propozime janë-koalicioni; propozim është-të pavarurit, por kjo nuk shkon shumë, ka pak mbështetës”.
Por vendimmarrja finale sipas Berishës do t’i takojë të dielën Këshillit Kombëtar.