Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha pengohet për të dytën herë të marrë pjesë në zgjedhjet lokale me logon dhe vulën e saj zyrtare.
Gjykata e Apelit vendosi që çështja të kthehet për rigjykim në Shkallën e parë me një trup tjetër gjykues, siç kishte kërkuar përfaqësuesi ligjor i Enkelejd Alibeajt.
“Ditën e hënë do të regjistrohemi në KQZ për zgjedhje. Të gjitha organet e PD-së kanë legjitimitet tani” u shpreh përfaqësuesi i Enkelejd Alibeajt në fund të procesit.
Gjyqi nisi paraditen e kësaj të premteje rreth orës 11:00, ndërsa paralelisht me procesin u zhvillua edhe protesta e demokratëve në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe para kryeministrisë. Berisha zgjodhi të mos e sulmojë gjykatën nga protesta, por tha se “revolucioni ynë do e fshijë nga faqja e dheut cilindo që guxon të luajë me pluralizmin e lirinë e shqiptarëve”.
Në seancë, përfaqësuesit ligjorë të Berishës i kërkuan trupit gjykues të mos e njohë Enkelejd Alibeajn si palë në proces dhe të lërë në fuqi vendimin e 25 Marsit.
“Gjykata është investuar nga një palë që nuk legjitimohet. Sipas nesh vendimi gjyqësor që e ka lejuar ankuesin është marrë në kundërshtim të ligjit”, tha Ivi Kaso në gjykatë duke mbrojtur grupimin e Berishës.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Alibeajt tha se nuk është momenti procedural që të ngrihen të tilla pretendime, duke kërkuar prishjen e vendimit të parë.
“Lulzim Basha bëri kërkesë në Gjykate dhe tha jam pale e interesuar. Dhe në atë moment gjyqtari Agron Zhukri duhet t’a pushonte çështjen”, tha avokati Indrit Sefa në mbrojtje të interesave të Enkelejd Alibeajt.
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë i kishte dhënë të drejtë Sali Berishës të udhëhiqte Partinë Demokratike, bazuar në ndryshimet statutore të Kuvendit të 11 Dhjetorit.
Por Lulzim Basha kishte organizuar një Kuvend në 18 Dhjetor me pretendimin se vula dhe logo e PD i përkiste atij. Pas dorëheqjes së Bashës, përpjekjet për të mbajtur PD-në i mori përsipër Enkelejd Alibeaj, që vuri në lëvizje Gjykatën e Apelit.
Procesi mbeti pezull që nga marsi i kaluar duke mbajtur peng logon dhe vulën e Partisë Demokratike.
Para vendimit të gjykatës,kandidatët e Berishës dolën në fushatë me logot e Shtëpisë së Lirisë në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit 2022, ndërsa ato të Bashës dolën me logon e PD-së.
Basha e nxorri PD-në forcë të tretë në 5 nga 6 bashki. Berisha fitoi Shkodrën dhe doli forcë e dytë në 4 Bashki.
Vendimi i Gjykatës së Apelit për vulën dhe logon e Partisë Demokratike zvarritej prej një viti nga trupi gjykues i përbërë nga Elona Mihali relatore dhe anëtarët Irida Kacerja dhe Astrit Kalaja.
Megjithëse protesta e PD në bulevard ishte koordinuar të zhvillohej ditën e gjyqit të vulës, Sali Berisha e kurseu një sulm direkt ndaj gjykatës. Por më herët, kreu i PD-së ka hedhur akuza se Rama po ndikon që vula t’i kthehet Alibeajt dhe për këtë ka ndkuar ambasadorja Juri Kim.
“Ka ndërhyrje të Ramës në këtë proces. Kanë dalë mesazhe se Olta Xhaçka i ka shkruar një ambasadori se “është vendosur me gjykatësin për këtë çështje”. Është edhe deklarata e Taulant Ballës në parlament për këtë.
Protesta nuk ka asnjë qëllim me gjyakten. Protesta vazhdon pavarësisht vendimit të gjykatës. Nuk është presion ndaj gjykatës. Kemi një armik dhe ky është Edi Rama” – tha Berisha dy ditë më parë në Klan Neës./Lapsi.al