E ftuar në emisionin ‘Real Story’ me gazetarin Sokol Balla, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim u shpreh optimiste ndërsa foli për një liberalizim të mundshëm të vizave me SHBA.
“Një nga gjërat e mëdha që bëmë në 2022 ishte rritja e vlefshmërisë së vizave nga tre vjet në dhjetë vjet, çka do të thotë se shqiptarët po i ndjekin rregullat gjithnjë e më shumë kur vjen fjala te vizat. Dhe synimi ynë , si Shtetet e Bashkuara, është të arrijmë në një pikë ku mjaftueshëm njerëz ndjekin rregullat, ka mjaftueshëm begati dhe mjaftueshëm shkëmbime midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë sa të mund të mos kemi viza. Pra, ky është synimi i madh dhe mendoj se do arrijmë atje.” – u shpreh ambasadorja Kim, ndërsa shtoi se zgjatja me 10 vite e vizës amerikane do të thotë se SHBA është optimiste për 10 vitet e ardhshme.
“Kur vendosim të japim viza dhjetë-vjeçare, kuptimi është që jemi optimistë për dhjetë vitet e ardhshme. Nuk bëj dot parashikim se kur saktësisht do të mund të udhëtojmë pa viza fare, por mund të them se jemi në drejtimin e duhur. Një nga këta tregues është tregtia, biznesi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.”vijoi më tej Kim.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: Do të arrijmë. E dini, kjo është një nga gjërat që kam biseduar me njerëz në fillim kur SHBA aplikuan vizat tre-vjeçare. Një nga paraardhësit tuaj e shpalli atë në programin tim, 2014 në mos gaboj. Ishte diçka e madhe, mendoj 2013, por ishte lajm i madh. Dhe ju shpallët lajmin e mirë, faktin që SHBA jep tani viza dhjetëvjeçare për ku aplikohet. Dhe sigurisht, po flisja me miqtë, drejt kësaj po ecim – pa viza, si quhet, një regjim ku shumë vende në hemisferën veriore marrin pjesë …vende demokratike dhe të zhvilluara. Dhe thashë kjo është diçka e mirë për Shqipërinë e shqiptarët sigurisht, por për Shqipërinë sepse e klasifikon vendin tonë në një pozicion shumë më të mirë se sa ka qenë.
Ambassador Kim: E saktë
Sokol Balla: Shumë kohë përpara, po?
Ambasadorja Yuri Kim: Po. Ka shumë më tepër shkëmbime, qofshin turistë apo njerëz të biznesit, familje dhe miq midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Dhe shohim të rriten shifrat. Kam sjellë ca statistika. Nuk e di nëse i keni ju?
Sokol Balla: Po, i morëm.
Ambasadorja Yuri Kim: E dini, doja të flisja pak për tregtinë.
Sokol Balla: Por më lejoni një pyetje të vogël. Kur thatë që do të arrijmë atje, tek heqja e vizave. Kur mendoni se do ndodhë?
Ambasadorja Yuri Kim: Varet nga çfarë ndodh në Shqipëri. Por mund të them këtë. Kur japim, kur vendosim të japim viza dhjetë-vjeçare, kuptimi është që jemi optimistë për dhjetë vitet e ardhshme. Nuk bëj dot parashikim se kur saktësisht do të mund të udhëtojmë pa viza fare, por mund të them se jemi në drejtimin e duhur. Një nga këta tregues është tregtia, biznesi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Sokol Balla: Po, i kemi grafikët.
Ambasadorja Yuri Kim: Shihini shifrat.
Sokol Balla: Mrekulli. I pashë më herët.
Ambasadorja Yuri Kim: Deri në shtator 2022, investimet e huaja direkte nga SHBA janë 213 milionë dollarë – thuajse dy herë më shumë se sa ishte në 2019-ën, pikërisht para pandemisë. Investimet e SHBA në shëndetësi, shërbime financiare, energji dhe teknologji të informacionit e turizëm po rriten; kemi kompani si kurrë më parë këtu, sidomos në sektorin TI dhe po marrin gjithnjë e më shumë njerëz në punë e po trajnojnë gjithnjë e më shumë.
Kemi edhe një njëbrirësh këtu – IntelyCare. Tregtia u dyfishua, dyfish midis 2019 nga 139 milionë në 235 milionë dollarë. Eksportet shqiptare për në SHBA thuajse u trefishuan nga viti 2019, nga 53 milionë në 137 milionë. Ka erëza, bimë mjekësore, në fakt mendoj se 70% e sherebelës që importohet në SHBA vjen nga Shqipëria. Por sot importojmë nga Shqipëria edhe produkte alumini, përfshi pjesë makinash. Dhe ky është lajm i madh.
Sokol Balla: Shqipëria prodhon pjesë makinash për industrinë amerikane të makinave?
Ambasadorja Yuri Kim: E saktë.
Sokol Balla: Tingëllon pak, si të them, e pabesueshem. Industria amerikane e makinave është ajo që nxit vetë ekonominë amerikane.
Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj se Shqipëria, një nga gjërat që njerëzit e kanë të lehtë t’i besojnë janë lajmet e këqija, por shumë të vështirë të besojnë lajmet e mira. Ndaj, erdha e armatosur me disa fakte, për t’ju treguar që s’po i sajoj. Këto janë faktet. Ekonomia, tregtia e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, biznesi me Shtetet e Bashkuara, po arrin më lart se kurrë në majë.
Dhe këtë e shihni tek atop ikat e grafikut. Është një kërcim gjatë 2014-16, është për shkak të një eksporti të madh të naftës bruto nga Shqipëria në SHBA në atë kohë. Por në tërësi, mund ta shohësh që prirja është e drejtuar lart fare, në qiell. Dhe duam ta ruajmë këtë. Një nga çelësat do të jetë reforma në drejtësi sepse vendimet që marrin bizneset bazohen në një numër faktorësh.
Kyçe ndër këto do të jetë nëse rregullat janë racionale dhe të qarta; nëse proceset janë transparente dhe të shpejta; dhe nëse ka gjykata të pastra sepse bizneset nuk janë gjithnjë të lumtura. Ndonjëherë kanë mosmarrëveshje kontratash dhe biznesmenët amerikanë duan të kenë besimin se nëse ka një mosmarrëveshje kontratash, të mund ta çojnë çështjen në gjykatë, të ketë një seancë në kohë dhe të ketë një gjykim të dhënë mbi bazën e ligjit, jo mbi bazën frikës a ndonjë favori.
Sokol Balla: Ajo që quhet siguri juridike. Pra, në fakt, shkon në gjykatë dhe beson tek vendimi nëse është i drejtë, pavarësisht cili është vendimi.
Ambasadorja Yuri Kim: E saktë. Kemi parë disa incidente tani që tregojnë se ende ka probleme kur vjen fjala tek mosmarrëveshjet për kontratat këtu në Shqipëri. E ndjejmë nga bizneset amerikane dhe di me siguri që edhe shqiptarët, njerëz të zakonshëm, e ndjejnë. Edhe ata e përjetojnë. Ndaj ne përqendrohemi kaq shumë tek reforma e gjyqësorit./abcnews.al