Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve Anëtare, në konsultim me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe në prani të palëve të interesuara rajonale dhe ndërkombëtare, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët në samitin e mbajtur sot në Tiranë.
Në fokus ka qenë lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj në shtetet e tjera, si dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian. Gjatë takimit në Tiranë, është bërë thirrje për përshpejtimin e procesit, për vendet që tashmë janë në rrugën e tyre të anëtarësimit.
“BE-ja ripohon angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, duke u bazuar te reformat e besueshme të Partnerëve, te kushtëzimet e drejta dhe të rrepta dhe te parimi i meritës së secilit, gjë që është në interesin tonë të përbashkët”, thuhet në deklaratë.
Një tjetër pikë e rëndësishme në morinë e vendimeve që kanë dakordësuar liderët evropianë dhe ata ballkanikë, është dhe zbatimi i vazhdueshëm i Planit Ekonomik dhe të Investimit (PEI) dhe i Agjendave të Gjelbra dhe Digjitale për Ballkanin Perëndimor.
“PEI-ja parashikon një paketë ambicioze investimi, duke mobilizuar afërsisht 30 miliardë euro për rajonin, të përbëra nga 9 miliardë euro financim me grante nga IPA III dhe deri në 20 miliardë euro në investime, të mobilizuara nga Instrumenti i ri i Garancisë së Ballkanit Perëndimor”