Nuk iu shitën biletat Kaney West-it, edhe?…

Shpërndaje

Nga Mentor Kikia

Nuk iu shitën biletat Kaney West-it, edhe?

E vërteta është fare e thjeshtë: Rreperit nuk iu shitën biletat dhe koncerti po dështonte. Qeveria sponsorizoi shitjen e biletave dhe tashmë ato po shpërndahen dhuratë ku të munden, nëpër shkolla, administratë etj, për të mbushur stadiumin.

Pyetja mbetet sërish një: Përse?

Nëse këtij këngëtari nuk i shiten biletat, do të thotë se, ose çmimet janë të larta, ose njerëzve nuk i pëlqen muzika e tij. Nuk është i pari. Ka patur edhe më herët grupe muzikore që kanë prenotuar stadiumin dhe kanë mbushur vetëm tribunën.
Thonë se ky tipi po nuk e pa stadiumin plot, ta lë xhenazen në derë dhe ikën. Ndaj dhe duhet t’ia mbushim ne.

Kjo është njësoj si të kesh një restorant e të vijnë vetëm 4-5 klientë. Kjo, për dy arsye: Ose ke çmimin e lartë ose nuk di të gatuash dhe ushqimin tënd nuk e preferojnë. Por zgjidhja është e jotja. Ose ul çmimet, ose mbyll restorantin, ose puno për ata 4-5 vetë që të preferojnë. Punë për ty! Nuk është arsye, që qeveria të paguajë faturat e gjithë restorantit, të ftojë njerëz të hanë qyl, meqë aty janë vetëm 4-5 klientë dhe restoranti bosh do na prishë imazhin.

Erdhën Scorpions-at vjet, e bënë koncertin në sheshin “Skënderbej”.
Nuk donin ata 50.000 spekatorë dhe miliona Euro fitime?

Bryan Adams, me kitarën e tij magjike, mbajti 4 orë në këmbë 70 mijë njerëz në Londër, ndërsa në Tiranë, mblodhi 3,000 njerëz në Pallatin e Kongreseve. Kaq është tregu në këtë vend.

Të pretendosh se do të bëhen 60,000 spektatorë për Kaney West në Kashar, me bileta që kushtojnë nga 120 – 900 Euro, është të mos jetosh këtu.

Këto para thjeshtë nuk duhet të shkojnë për këtë koncert. Jo sepse me 4.2 milion Euro mund të bëhen 4.2 milion gjëra. Por sepse kjo është e paligjshme dhe e pamoralshme.

A, nëse është vërtet e përllogaritur se tek ky koncert do të investojmë 4.2 milion Euro dhe do të fitojmë 100 milion, atëherë hajde ta mbajë këtë Kanye-n këtu e mos ta lëshojmë, se e paska normën e fitimit 10 herë më të madhe se sa Sudja me Rrapush Xhaferrin në vaftin e tyre.

Shpërndaje