Reciprociteti/ Vuçiç: Nëse nuk duan ta ruajnë paqen, po ju them, Serbia do të fitojë…

Shpërndaje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se Serbia nuk ka qenë kurrë në një situatë më komplekse dhe më të vështirë sa sot kur bëhet fjalë për Kosovën.

Sipas medias serbe, ai bëri të ditur se autoritetet në Prishtinë po planifikojnë që nga sonte në mesnatë të ndalojnë të gjithë ata që kanë letërnjoftime serbe në vendkalimet administrative.

“Ata morën vendim që t’i imponojnë gjërat që nuk kanë të drejtë t’i imponojnë, në radhë të parë popullit në veri të Kosovës.  Paraprakisht kanë dërguar njësitë e tyre me 21 tonë karburant dhe gjithçka tjetër në vendkalimet administrative Jarinje dhe Bërnjak, me dëshirën që të ndalojnë të gjithë ata që kanë letërnjoftime serbe. E gjithë kjo duhet të fillojë sonte në mesnatë, ndërsa në të njëjtën kohë të bindë serbët që të heqin dorë nga tabelat KM”, citohet të ketë thënë Vuçiç.

Ai shpjegoi se Prishtina i referohet pikës tre të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes të nënshkruar nga Borko Stefanoviç dhe Edita Tahiri në vitin 2011, ku thuhet se secila palë mund të zbatojë një sistem ku kartat e identitetit do të shoqërohen me dokumente të shkruara daljeje për ata që udhëtojnë.

Vuçiç theksoi se kjo nuk mund të jetë e vërtetë për serbët nga Kosova, sepse ata nuk përfaqësojnë palën tjetër dhe as nuk udhëtojnë transit në vende të treta.

“E dyta është se shqiptarët duan të përfitojnë nga kjo dhe të thonë: ‘Epo, është reciprocitet, ne kemi të drejtë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës’. Në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, Kosova është pjesë e Serbisë, kështu që ne nuk do të përdorim armë për ta rikthyer atë nën kontrollin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Serbisë. Ne sillemi me përgjegjësi, seriozisht, nuk duam konflikte dhe luftë. Ky është shpjegimi më budalla nga politikanët shqiptarë”, tha Vuçiç.

Kur bëhet fjalë për targat, Vuçiç tha se marrëveshja e vitit 2011 prezantoi RKS dhe targat KS neutrale ndaj statusit të lëshuara nga UNMIK-u, dhe se vlefshmëria e tyre ishte kufizuar në pesë vjet me njoftimin se pas skadimit të asaj periudhe, të dy palët do të konsideronin çështjen e tabelave.

Ai kujtoi se Marko Gjuriç kishte nënshkruar një marrëveshje me Prishtinën në vitin 2016, ku thuhet se vlefshmëria e targave KS do të vazhdohet deri në fund të vitit 2021, por në shtator të vitit 2020, siç vlerësoi ai, Prishtina në mënyrë arbitrare i anuloi targat KS.

“Dhe çfarë dëshiron Prishtina sot, dëshiron të thotë: ‘Nuk ka më targa KS, ne jemi shtet sovran.Ne nuk do t’i lejojmë targat KM që askush të mos mendojë se ka mbeturina të një shteti tjetër’”, tha Vuçiç.

Vuçiq përmendi edhe gjashtë pikat e para të Marrëveshjes së Brukselit, të cilat parashikojnë formimin e Unionit të Komunave Serbe në Kosovë me kompetenca të gjera, duke theksuar se edhe pas 3390 ditësh, asnjëra prej tyre nuk është përmbushur.

Presidenti i Serbisë tha gjithashtu se autoritetet në Beograd kanë biseduar me përfaqësuesit e popullit serb në Kosovë  një ditë më parë.

“Populli serb po i dëgjon gjithnjë e më pak lutjet tona, dhe lutja ime është që ne të përpiqemi të ruajmë paqen me pothuajse çdo kusht”, ka shtuar ai.

Nëse Prishtina “guxon të persekutojë serbët, t’i keqtrajojë serbët, të vrasë serbët, Serbia do të fitojë”, theksoi ai.

Vuçiç tha gjithashtu se bisedimet me serbët nga Kosova ishin shumë të vështira dhe se njerëzit imagjinojnë se “Vuçiç vjen dhe thotë diçka dhe ata dëgjojnë, por nuk kanë dëgjuar asnjë fjalë nga ajo që ka thënë”.

Deklaratat e tij të fundit vijnë një ditë para se vendimi i Kosovës për reciprocitet me Serbinë lidhur me dokumentet, të nisë zbatimin.

Që nga e hëna, shtetasve të Serbisë nuk do t’u njihen dokumentet e identifikimit dhe kur të hyjnë në kufi do të pajisen me leje të përkohshme qarkullimi.

Shpërndaje