Një investim i rëndësishëm me ndikim të drejtëpërdrejtë në zhvillimin e turizmit në bashkinë Shkoder pritet të nisë brenda pak javësh. Rruga Shirokë – Zogaj (kufiri me Malin e Zi) është një financim që bashkia Shkoder e ka përfituar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe që do të zbatohet përmes bashkëpunimit me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Përmes një konsultimi publik me banorë dhe operator të biznesit që operojnë në këtë zonë, u bë prezantimi i projektit, si dhe u morën sugjerimet dhe kërkesat e tyre lidhur me ndërhyrjet që do të realizohen në terren. Rruga e re do të jetë 6 metra e gjërë, me korsi biçiklete dhe aksese në zonat e plazhit, ndërsa shmang qendrën e Zogajve, duke mos prishur shtëpi apo objekte të tjera shërbimi.
Banorët kërkuan që të mos ndiqet e njëjta rrugë si me investimin e qendres së Shirokës nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ku defektet janë shfaqur pa u mbushur viti i përfundimit të investimit.
Janë një sërë projektesh që bashkia Shkoder në zbatim të strategjisë së saj të zhvillimit po i çon përpara në bashkëpunim me donator të huaj. Përmbyllja e unazës së transportit liqenor me hapjen e pikës doganore të përbashkët Zogaj – Skje, është një tjetër investim më ndikim të drejtëpërdrejtë në zhvillimin e turizmit dhe rritjen e kapaciteteve pritëse dhe komunikuese në këto zona, që njëkohësisht ndikojnë në përmirësimin e jetës së banorëve të këtyre lagjeve.