Të martën, bisedimet me BE-në/ Vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas votimit në Shkup…

Shpërndaje

Me 68 vota pro e asnjë kundër, teksa deputetet e opozitës e bojkotuan procesin e votimit, propozimi francez u miratua në parlamentin maqedonas, duke i hapur kështu rrugën avancimit të Maqedonisë së Veriut drejt integrimit të mëtejshëm europian, e për rrjedhojë edhe Shqipërisë së mbetur peng e mosmarrëveshjeve të Shkupit me Sofjen.

Deputetët votuan për shtatë konkluzione të hartuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), që kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas. “Kuvendi detyron Qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet mes tjerash në konkluzionet e prezantuara nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.

Miratimi vjen pas tre ditë debatesh të ashpra në Kuvend, tensionesh e deri dhe tentativash për përplasje fizike. Gjatë gjithë debatit, deputetët e partisë opozitare, VMRO-DPMNE, përmes fishkëllimeve me bori i penguan deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre. Propozimi francez parashikon kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.

“Ju siguroj se qeveria jonë  është e vendosur “të qëndrojë në rrugën e mbrojtjes së gjuhës maqedonase, identitetit, veçorive historike dhe kulturore të popullit maqedonas përmes barazisë së tij me kombet europiane”, tha Kovacevski.

Ka qenë i menjehershëm reagimi i kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila ishte dhe vetë në Shkup ku iu drejtua me një fjalim parlamenrit atje, ne përpjekje për të bindur të pranonin zhbllokimin e rrugës së anëtarësimit, të cilën Maqedonia e Veriut e kërkon prej gati dy dekadash  ndërsa Shqipëria ka 8 vjet që e pret.

“Urime Maqedonisë së Veriut për votimin që i hap tani rrugën çeljes së shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Kjo ishte një mundësi historike dhe ju e kapët atë. Një hap i madh në rrugën tuaj drejt një të ardhmeje evropiane. Të ardhmes tuaj”, ka shkruar Von der Leyen në Twitter.

Edhe Komisioneri i Zgjerimit Oliver Varhelyi e përshëndeti këtë moment, e madje në një moment të parë ai shkroi se negociatat do të hapeshin të martën, por më pas postoi një mesazh pa afate kohore duke u fokusuar tek përshendetja e rezultatit të votimit, ndërsa tha se e presin me padurim hapjen e negociatave. Edhe kancelari gjerman Olaf Scholz shkroi menjëherë në Twitter se kjo votë i hap rrugën konferencave të anëtarësimit të Bashkimit Europian me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne ju duam si anëtarë të Bashkimit Europian dhe do të jemi pranë jush gjatë gjithë rrugës, ka shkruar ai.

Mësohet ndërkohë se Maqedonia është ftuar në Bruksel të martën, ndërsa delegacioni shqiptar mbërrin atje të hënën pasdite.

Top Channel

Shpërndaje