Viti i ri shkollor 2020-2021 do të nisë më 14 shtator, siç është programuar nga ministria e Arsimit që në muajin shkurt të këtij viti.
Burime zyrtare nga ministria e Arsimit, i thanë “Shqip” se pas vendimit të qeverisë për hapjen e shkollave, po bashkëpunohet me struktura të tjera përgjegjëse me qëllim që ambientet të jenë gati për fillimin e vitit të ri shkollor.
Sipas MAS, në datën 1 shtator nis procesi i regjistrimit dhe shpërndarjes së librave për të gjithë nxënësit që do të ndjekin arsimin parauniversitar.
Deri atëherë, bashkitë të cilat administrojnë një pjesë të shkollave së bashku me strukturat e tyre përgjegjëse për higjienën do të duhet të bëjnë gati godinat, duke nisur nga lyerja e tyre, dezinfektimi bazuar në protokollet për masat anti Covid.
Burimet zyrtare nga MAS konfirmuan se në ditët në vazhdim pritet që Komiteti i Ekspertëve teknikë në ministrinë e Shëndetësisë që menaxhon masat parandaluese për përhapjen e pandemisë, të dalë me udhëzues përkatës për shkollat për mënyrën e menaxhimit të pandemisë, kur dihet rrisku i lartë për shkak të mbipopullimit të klasave.
Burimet i thanë “Shqip” se nga ana tjetër, ministria për Rindërtimin po punon për përfundimin e rikonstruksionit të të gjitha objekteve shkollore që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar dhe deri në fund të nëntorit, mendohet të jenë gati për të pritur nxënësit.
“Me rëndësi është që ne kemi marrë të gjitha masat e duhura që viti i ri shkollor të nisë në datën e caktuar dhe cdo problematikë që do të shfaqet do të diskutohet me ekspertët. Ne do të zbatojmë strategjinë e hartuar nga Komiteti i Ekspertëve për shkollat me qëllim që mësimi të vijojë normalisht”, u shprehën burimet nga Ministria e Arsimit.
Sakaq nëpërmjet një postimi në rrjetin e saj social facebook, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka publikuar atë që ajo e cilëson si një prej punëve të mira të realizuara gjatë vitit 2020, konkretisht e cila lidhet me zgjerimin e skemës mbështetëse për shpërndarjen e librave falas për nxënësit e vitit të shkollor 2020-2021.
Ajo deklaroi se “Përkundër presionit financiar nga tërmeti i vitit të kaluar dhe pandemia e COVID-19, Ministrja Shahini nënvizon se “këtë vit kemi zgjeruar skemën mbështetëse të librave falas, me përfitues direkt nxënësit e klasave 1-7 dhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasë të 12-të”.
Kjo skemë mbështetëse nga buxheti i shtetit prej 800 milion lekësh u vjen në ndihmë direkt mbi 250 mijë nxënësve përfitues në të gjithë vendin, duke ulur koston financiare të familjeve shqiptare dhe përmirësuar gjithashtu qasjen e nxënësve në arsim, veçanërisht nxënësve romë dhe egjiptianë, të cilët kanë një rrezikshmëri më të lartë të braktisjes së shkollës së mesme.