Euro prek minimum të ri historik – E mbyll javën në 95.24 lekë. Pritet më shumë presion gjatë verës…

Shpërndaje

Euro ka vijuar tendencën në rënie në tregun e brendshëm valutor, duke mbyllur javën në nivelin më të ulët historik prej 95.24 lekësh. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane ka humbur vazhdimisht terren gjatë këtij viti, ndërsa tendenca rënëse është përshpejtuar në prag të sezonit veror.

Grafiku i ecurisë së kursit tregon se që nga fillimi i vitit euro është zhvlerësuar me më shumë se 1.3 lekë, duke zbritur nga nivelet pranë 96.6 lekëve në fillim të janarit në vetëm 95.24 lekë në javën që sapo u mbyll. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, euro është zhvlerësuar me rreth 3%.

Kjo rënie vjen në një moment kur Shqipëria po hyn në sezonin turistik, periudhë që tradicionalisht shoqërohet me flukse të konsiderueshme të valutës së huaj në ekonomi. Numri i lartë i turistëve, së bashku me remitancat dhe Investimet e Huaja Direkte, pritet të shtojnë ofertën e euros në treg, duke ushtruar presion të mëtejshëm. Në këto kushte, nuk përjashtohet mundësia që euro të testojë nivele edhe më të ulëta se rekordi aktual.

Banka e Shqipërisë po ndërhyn rregullisht në tregun valutor edhe gjatë këtij viti, për ta frenuar ritmin e zhvlerësimit të Euros. Informacionet për ndërhyrjet në tregun valutor gjatë vitit 2026 ende nuk janë bërë publike, por duke parë shifrat e dy viteve të fundit mund të mendohet se banka qendrore po vazhdon të tërheqë sasi të konsiderueshme valute nga tregu. Në dy vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka blerë rreth 1 miliard euro, në secilin vit, në përpjekje për të parandaluar rënien e mëtejshme të euros.

Zhvlerësimi i monedhës europiane vazhdon të krijojë sfida për eksportuesit dhe sektorët e tjerë që kanë aktivitet në euro, pasi të ardhurat e tyre të konvertuara në lekë reduktohen. Me sezonin turistik që sapo po nis dhe me pritshmëritë për një numër rekord vizitorësh gjatë verës, tregu valutor mbetet nën vëzhgim, ndërsa shumë operatorë presin që euro të vazhdojë trajektoren zbritëse edhe në javët dhe muajt e ardhshëm.

Shpërndaje