Amnistia Penale më 18 qershor në Kuvend, Gogu: Asnjë i dënuar nga SPAK dhe GJKKO nuk përfiton, ligji dallon qartë rrezikun shoqëror dhe rehabilitimin…

Shpërndaje

Projektligji për dhënien e amnistisë është planifikuar të shqyrtohet në seancë plenare më datë 18 qershor, ku pritet të diskutohet gjerësisht mbi përfituesit, kriteret dhe efektet e tij në sistemin e drejtësisë penale.

Në Komisionin e Ligjeve, Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi projektligjin duke sqaruar se ai synon të përcaktojë me kritere të qarta ligjore rastet kur një person konsiderohet se ka përmbushur qëllimin e dënimit dhe mund të përfitojë nga amnistia, si dhe rastet kur kjo nuk aplikohet për shkak të natyrës së veprës penale.

Sipas ministrit, “380 persona fitojnë lirim të menjëhershëm nga ky projektligj”, ndërsa “rreth 900 persona përfitojnë ulje dënimi”, duke e konsideruar këtë si një masë që synon lehtësimin e mbipopullimit në burgje dhe rikthimin gradual të individëve të rehabilituar në shoqëri.

Gogu theksoi gjithashtu se ligji vendos kufij të qartë për veprat e rënda penale, duke deklaruar se askush në juridiksionin e SPAK dhe GJKKO nuk përfiton nga kjo amnisti.

 “Zero persona të dënuar për korrupsion, krim të organizuar dhe çështje që janë në kompetencë të strukturave të posaçme antikorrupsion dhe të dënuar nga GJKKO përfitojnë nga kjo amnisti. Askush në juridiksionin e SPAK dhe GJKKO nuk përfiton nga kjo amnisti”, theksoi ai.

Gogu sqaroi më tej se qëllimi i projektligjit nuk është tolerimi i krimit, por krijimi i një dallimi të qartë juridik mes personave që vijojnë të përbëjnë rrezik për shoqërinë dhe duhet të vazhdojnë të vuajnë dënimin, dhe atyre që, sipas vlerësimit të shtetit, kanë përmbushur funksionin e dënimit dhe mund të riintegrohen në shoqëri.

“Ky projektligj nuk e toleron krimin, por dallon me saktësi juridike mes personit që vazhdon të përbëjë rrezik për shoqërinë dhe të vijojë vuajtjen e dënimit, dhe atij personi që shteti vlerëson se është përmbushur qëllimi i dënimit dhe meriton të rehabilitohet e të rikthehet në shoqëri”, tha ai.

Sa i përket të drejtave të viktimave, Gogu theksoi se ligji nuk cenon asnjë të drejtë civile dhe se amnistia prek vetëm marrëdhënien juridike mes shtetit dhe autorit të veprës penale.

Ai deklaroi se “ky ligj nuk shuan asnjë të drejtë civile të viktimës. Amnistia prek marrëdhënien mes shtetit dhe autorit të veprës penale. E drejta e viktimës për dëmshpërblim mbetet e plotë dhe e pacenuar.”

Kush përfiton nga amnistia – kriteret e reja të projektligjit

Ministri i Drejtësisë, ka bërë të ditura kriteret kryesore të projektligjit për amnistinë, duke sqaruar kategoritë që përfitojnë lirim të menjëhershëm, ulje dënimi dhe përjashtimet nga ligji.

Sipas Gogut, “të gjithë burrat e dënuar deri në 3 vite burgim, ose ata që u kanë mbetur më pak se 3 vite për të vuajtur, lirohen menjëherë”, ndërsa për gratë parashikohet që “të gjitha gratë e dënuara deri në 4 vite burgim, ose që u kanë mbetur më pak se 4 vite dënim, lirohen menjëherë”.

Ai shtoi gjithashtu se “të gjithë burrat 60 vjeç e sipër dhe të gjitha gratë 50 vjeç e sipër lirohen menjëherë”, ndërsa një kategori tjetër përfituese janë edhe të miturit, ku “18-vjeç e poshtë lirohen menjëherë”.

Sa i përket uljes së dënimit, Gogu sqaroi se “të dënuarit e tjerë marrin 1 vit ulje dënimi, ndërsa gratë dhe të miturit përfitojnë 1 vit e gjysmë ulje”.

Në projektligj parashikohet gjithashtu që “pushon procedimi për veprat që dënohen deri në 3 vite burgim, me përjashtimet e parashikuara nga ky ligj”.

Megjithatë, ministri theksoi se asnjë përfitues nuk duhet të ketë kryer vepra të rënda penale. Përjashtohen nga amnistia vrasjet në rrethana cilësuese, krimet seksuale, trafikimi, terrorizmi, korrupsioni, krimi i organizuar, veprat zgjedhore dhe pastrimi i parave.

Gogu u ndal edhe te ndikimi i amnistisë në sistemin penitenciar. Aktualisht, burgjet shqiptare kanë një kapacitet prej 5,292 vendesh dhe strehojnë 4,769 persona. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, zbatimi i amnistisë do të sjellë uljen e nivelit të zënies në sistem, duke krijuar kushte më të mira për trajtim, rehabilitim dhe riintegrim.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura gjatë diskutimit, ministri theksoi se amnistia është një instrument i njohur i politikës penale në demokracitë europiane dhe se standardi europian nuk është ndalimi i amnistive, por përjashtimi i korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve të rënda nga çdo përfitim i mundshëm.

Në përfundim, Gogu deklaroi se projektligji bazohet në parimin e dallimit midis krimeve që vazhdojnë të paraqesin rrezik të lartë për shoqërinë dhe atyre rasteve ku rehabilitimi konsiderohet i mundur, duke e cilësuar këtë si një element thelbësor të drejtësisë moderne.

Shpërndaje