Vllaznia U19 fiton “Eagle Cup” dhe siguron pjesëmarrjen në “Viareggio Cup”…

Shpërndaje

Vllaznia U19 ka fituar trofeun “Eagle Cup” pas një suksesi minimal 1-0 ndaj Hellas Verona, në një ndeshje të zhvilluar në mbrëmje në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë. Goli i vetëm i takimit u shënua nga Gerald Kubazi, duke i siguruar kuqebluve triumfin final.

Skuadra e drejtuar nga Elvis Plori dominoi gjatë gjithë lojës, duke treguar nivel dhe përgatitje të lartë. Ndeshja pati edhe momente tensioni, kur në pjesën e dytë u ndërpre për disa minuta për shkak të një përplasjeje mes portierit të Vllaznisë dhe një lojtari të Veronës. Futbollisti italian u dëmtua dhe u desh ndërhyrja e ambulancës për ta dërguar në spital, por fatmirësisht më vonë u mësua se gjendja e tij ishte e stabilizuar.

Pas rifillimit të takimit, Vllaznia mbeti me një lojtar më pak pas ndëshkimit me karton të kuq të Hajdarit, por kjo nuk i pengoi shkodranët të ruanin rezultatin dhe të festonin titullin.

Ky turne organizohet për herë të parë në Shqipëri nga Fondacioni “AlbItSol” në bashkëpunim me FSHF-në, dhe përfshiu tetë ekipe nga vende të ndryshme. Me këtë fitore, Vllaznia U19 siguron pjesëmarrjen në turneun prestigjioz “Viareggio Cup” që zhvillohet çdo vit në Itali.

Shpërndaje