“Unë jam gjallë, por gjendja civile ka 5 muaj që më ka ‘vdekur’”

“Stop” është ndalur në Elbasan, në lagjen “5 Maj” për problemin e një të moshuare 80-vjeçareje.

Ilir Duraku tregon se punon në Greqi dhe para 5 muajsh e kanë njoftuar se në lagje ka ndërruar jetë Aishe Hamit Duraku, emri dhe mbiemri i së cilës është i njëjtë me atë të nënës së tij.

Për këtë arsye, zyra e gjendjes civile Elbasan ka çregjistruar gabimisht nënën e Ilirit, ndaj që nga Janari e ëma nuk përfiton pensionin.

Kam nënën time 80 vjeçe, unë zakonisht punoj në Greqi. Më erdhi informacion nga shtëpia se ka ndodhur një vdekje në një lagje tjetër, pikërisht me emër të njëjtë me nënën time, Aishe Duraku. Pikërisht për këtë arsye, ata kur kanë bërë çregjistrimin tek gjendja civile, nuk është regjistruar personi që ka ndërruar jetë, por kanë hequr nënën time”, thotë Ilir Duraku.

Gazetarja: Dhe është si kokrra e mollës.

Vetë e moshuara tregon, se është në gjendje të mirë shëndetësore, por gjendja civile e ka shpallur të vdekur, duke i mohuar edhe ato pak të ardhura që ka nga pensioni.

Gazetarja: Përshëndetje nëna, si je?

Aishe Duraku: Mirë.

Gazetarja: Si quhesh?

Aishe Duraku: Aishe.

Gazetarja: Sa vjeçe je?

Aishe Duraku: 80.

Gazetarja: Nëna, të të prek pak? Qenka gjallë. Merr frymë nëna. Nëna është gjallë.

Aishe Duraku: Gjallë jam.

Gazetarja: Ngrihu iher nëna, ulu. Në rregull, mua më duket shumë në rregull nëna. Si është ky problemi?

Aishe Duraku: Unë jam gjallë, por gjendja civile ka 5 muaj që më ka ‘vdekur’. Skam ça tu bëj.

Ilir Duraku: Duke qenë se nënën e kanë hequr që në Janar, nëna tani nuk merr pension. Kam bërë kërkesë tek gjendja civile, më kanë thënë do ta rregullojmë, por asgjë nuk po bëhet. Po vjen muaji i pestë dhe këta vazhdojnë me të njëjtat gjëra. U detyrova t’i drejtohem emisionit “Stop” për ta zgjidhur këtë çështje, se ndryshe nuk i zgjidh problemet.”

Gazetarja: Çfarë kërkon?

AisheDuraku: Kërkoj pensionin tim se jam gjallë, jam gjallë nëna, nuk kam vdekur.

Për këtë problematikë i jemi drejtuar Zyrës së Gjendjes Civile Elbasan, ku na thonë se është bërë një gabim njerëzor, duke hequr nga sistemi të moshuarën në vend të asaj që ka ndërruar jetë. 

Behar Tashi, Përgjegjës i Zyrës së Gjendjes Civile Elbasan thotë se me marrjen e të dhënave të sakta, do t’i zgjidhet problemi zonjës Aishe.

Jonida Beqiri, Kryetare e Degës së Përfitimeve, ISSH Elbasan shpjegon, se askush nuk e ka përfituar pensionin e zonjës, pasi që të dyja kanë dalë nga sistemi, për shkak të gabimit të Zyrës së Gjendjes Civile. Në momentin e sistemimit të të dhënave, zonja do të marrë sërish pagesën edhe për muajt e munguar.

Ilir Duraku: Faleminderit shumë “Stop”-it për problemin që më zgjidhët. Kisha 5 muaj që sorollatesha në zyrat e gjendjes civile, por pa bërë dot asgjë. Me ndihmën tuaj, për 5 orë arritën ta zgjidhim problemin. Faleminderit jo vetëm për pensionin, por edhe që më sollët nënën në jetë, se këta ma kishin bërë të vdekur prej 5 muajsh. /tvklan.al