Statistikat e kulturës, INSTAT: Të huajt preferuan monumentet, vendasit parqet arkeologjike; Shtrenjtohen librat

Instituti i Statistikave publikoi për herë të parë të dhëna të detajuara mbi statistikat e kulturës në vend. Referuar shifrave ashtu siç pritej në vitin 2020 janë prekur thuajse të gjithë hallkat që lidhen me kulturën. Kështu sipas INSTAT  në vitin e shkuar pati rënie të numrit të shfaqjeve edhe pse ato u zëvendësuan edhe online.

Lidhur me trashëgiminë kulturore raportohet se në vitin e shkuar të huajt që përbënin 16 për qind të vizitorëve preferuan monumentet kulturore kurse vendasit parqet arkeologjike. Lidhur me përdorimin e internetit për qëllime kulture INSTAT vëren se meshkujt e përdorin kryesisht për shkarkime dhe lojëra ndërsa femrat për të dëgjuar muzikë. Vitin e shkuar një analizë e INSTAT tregon se pati një rritje të çmimeve të librave.

 “Pjesëmarrja në Kulturë

Gjatë vitit 2020, janë organizuar gjithsej 328 shfaqje dhe premiera në institucionet qëndrore të artit. Krahasuar me vitin e kaluar, ky tregues ka rënë ndjeshëm, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Megjithatë, institucionet e artit kanë vijuar veprimtarinë me shfaqje dhe premiera online, të publikuara në rrjete sociale. Në institucionet qëndrore të artit, gjatë vitit 2020, morën pjesë në aktivitetet kulturore 38.332 spektatorë.

Trashëgimia kulturore

Gjatë vitit 2020, numri i vizitorëve në muze, kala dhe parqe arkeologjike është 190.467 vizitorë, 16,8 % e të cilëve janë të huaj. Kalatë dhe Monumentet janë pasuritë të cilat janë frekuentuar më së shumti nga vizitorët e huaj, ndërkohë vizitorët vendas kanë preferuar më shumë Parqet arkeologjike. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i vizitorëve vendas dhe të huaj ka rënë ndjeshëm, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.

Edukimi kulturor

Edukimi në kulturë pasqyron informacion mbi regjistrimet e studentëve në arsimin e lartë, në fusha studimi të lidhura me kulturën. Bazuar në klasifikimin e fushave të studimit (ISCED-F 2013), fushat që konsiderohen të lidhura me kulturën janë “Arte”, “Shkenca Humane dhe Gjuhët”, “Gazetari dhe Informim”, dhe “Arkitekturë dhe Ndërtim”.

Në vitin akademik 2020-21, në fushat e studimit të lidhura me kulturën janë regjistruar 17.954 studentë, të cilët përbëjnë 14,5 % të totalit të regjistrimeve për këtë vit akademik, duke shënuar një rënie me 0,6 pikë përqindje, krahasuar me vitin e kaluar. Këto fusha janë preferuar më shumë nga femrat, përkatësisht 15,9 % femra dhe 12,4 % meshkuj ndaj totalit të regjistrimeve. Në këtë vit akademik, “Gjuhët” dhe “Arkitekturë dhe Ndërtim” janë fushat e studimit më të preferuara nga studentët, përkatësisht 39,9 % dhe 29,4 % ndaj totalit të studentëvë të regjistruar në fushat e lidhura me kulturën.

Në fushat e studimit të lidhura me kulturën, femrat përbëjnë shumicën e studentëve me 66,1 %. Përqindja e femrave është më e lartë në fushat “Gjuhët”, “Shkenca humane”, dhe “Gazetari dhe informim”. Hendeku gjinor është më i theksuar në fushën “Arkitekturë dhe ndërtim”, ku femrat përbëjnë 48,6 % të studentëve në këtë fushë.

Punësimi në Kulturë

Në vitin 2020, janë të punësuar në një aktivitet kulturor ose në një profesion kulturor 19.004 individë, 1,5 % e punësimit gjithsej. Krahasur me vitin e kaluar, punësimi në kulturë pësoi një rënie me 0,1 pikë përqindje.

Shumica e të punësuarve në kulturë janë meshkuj, respektivisht 56,8 %, në vitin 2020. Krahasuar me vitin e kaluar, kjo përqindje ka rënë me 2,3 pikë përqindje.

Përqindja që zënë femrat në punësimin në kulturë ka një vlerë më të ulët krahasimisht me përqindjen që ato zënë në punësimin e gjithë ekonomisë (44,5 %).

Ndërkohë që të rinjtë në moshën 15-29 vjeç përbëjnë vetëm 21,9 % të punësimit gjithsej në vend, pjesëmarrja e tyre në punësimin në kulturë është më e lartë, 34,0 % në vitin 2020.

Të punësuarit me arsim të lartë përbëjnë pjesën më të madhe të të punësuarve në punësimin në kulturë, 65,8 % në vitin 2020. E kundërta ndodh me shpërndarjen e punësimit gjithsej sipas nivelit arsimor ku të

punësuarit me arsim të lartë përbëjnë vetëm 22,3 % të të punësuarve gjithsej

Përdorimi i internetit për qëllime kulturore

Nëpërmjet anketës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Familje dhe nga Individët, që INSTAT zhvillon, është matur edhe përdorimi i rregullt i internetit nga femrat dhe meshkujt për informacione ose aktivitete kulturore, si shikimi i filmave, videove në internet, transmetim i drejtpërdrejtë i koncerteve, leximi i gazetave revistave, dëgjimi i muzikës etj.

Në analizën sipas aktiviteteve të kryera në internet gjatë 3 muajve të fundit, për çdo kategori, janë meshkujt të cilët regjistrojnë përqindjet më të larta, mbi 50 %. Në vitin 2020, në analizën e të dhënave sipas gjinisë, meshkujt e përdorin më shumë internetin për lojra/shkarkimin e lojërave nga interneti (57,5 %), ndërsa femrat e përdorin për të dëgjuar muzikë (47,9 %

Nëse do të analizojmë aktivitetet e kryera në internet gjatë 3 muajve të fundit, vëmë re se të rinjtë e grupmoshës 16-24 vjeç e përdorin më shumë internetin për të luajtur ose shkarkuar lojra. Ndërkohë grupmoshat 25-54 vjeç dhe 55-74 vjeç e përdorin për leximin e faqeve të lajmeve/gazetave në internet.

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve të cilët konsiderohen kulturor nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve të cilat konsumatori (vendas dhe i huaj) synon për konsumin final në territorin e Shqipërisë.

Në vitin 2020, rritjen më e lartë e çmimeve për mallrat dhe shërbimet kulturore është shënuar për kategorinë “Libra” me 2,1 %. Ndërsa, ulja më e madhe vërehet në grupin “Pajisjet audio vizuale, fotografike dhe riparimi i tyre” me 0,2 %.

Shpenzimet Publike për Argëtim, Kulturë dhe Çështje Fetare

Në 2020, shpenzimet publike në këtë fushë kanë qenë 6.842 mln lekë. Këto shpenzime përbëjnë 1,3 % të shpenzimeve publike gjithsej për vitin 2020 dhe zënë një peshë prej 0,4 % në PBB-në gjithsej. Krahasuar me vitin 2019, shpenzimet publike në Argëtim, Kulturë dhe Çështje fetare shprehur si përqindje ndaj PBB nuk kanë ndryshuar, ndërkohë shpenzimet publike shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rënie me 0,2 pikë përqindje” vlerëson INSTAT.