Shkodër/ Pedagogu Vinçens Marku: Mbyllja një media si Ora, shenjë se demokracia ka filluar të lëkundet

Kërkesën e ISHSH për mbylljen e televizionit Ora dhe ndëshkimin e tij me gjobë, dy prej emrave të njohur të letersisë dhe mesimdhenies në Shkoder e quajnë sinjalin e parë të instalimit të diktaturës në Shqipëri. 

Pedagogu Vinçens Marku dhe kryetari i lidhjes së shkrimtareve Zija Vukaj e shohin me shqetësim sjelljen e qeverisë karshi medias, pushtetit të katërt në vend. Madje sipas profesor Markut njerezit duhet ta kuptojnë se diktatura vjen jo vetëm nga vullneti diktatorit, por edhe liria që i lënë një diktatori. 

Vinçens Marku, shef i Departamentit të Letersisë: Përplasjet e medias me pushtetin qeverisës janë gjithmonë të dëmshme për një popull. Aq më shumë kur ky pushtet kërkon të dominojë pushtetet e tjera të lira siç është media dhe nuk i ka në dorë, këtu fillojnë elementet e para të cënimit të demokracisë. Demokracia është një habitat ku gjenden mirë ata qe e sulmojnë dhe ata që e duan dhe bëjnë media, aq më shumë një zë që përfaqësohet nga personalitete si Sonila Meço, Artur Zheji, që merren me problemet tona në jeten tonë të përditshme. Mbyllja një media si Ora, një zë ndryshe në këtë kohë kur të gjithë shkojnë sinkronë me qeverinë, është një shenjë e fortë që demokracia ka filluar të lëkundet, është në pikjatë. Njerezit duhet ta kuptojnë se diktatura vjen jo vetëm nga vullneti diktatorit, por edhe liria që i lënë një diktatori.