Reagon Shtubina: Ju tregoj të vërtetën për koronavirusin

Dalja pozitiv në testin për COVID-19 e një prej të afërmve të futbollistit të Vllaznisë, Ndriçim Shtubina, ka alarmuar këtë të fundit dhe gjithë ambjentin sportiv të klubit shkodran. Në këto kushte, menjëherë Shtubina ka kryer ditën e sotme testin për t’u siguruar, ndërsa është në pritje të një përgjigjeje nga mjekët.

Lajmin e konfirmoi vetë pjestari i stafit mjekësor të Vllaznisë, Ilirjan Haxhaja. Ndërkohë, vetëm pak minuta më parë, “Panorama Sport” kontaktoi direkt me lojtarin për të mësuar të vërtetën e kësaj ngjarjeje.

“Në këtë moment që po flasim ndihem shumë mirë, si unë dhe familja ime. E vërteta është se sot halla ime ka dalë pozitiv me testin e koronavirusit. Në fakt, unë kam pas kontakte me të gjatë kësaj periudhe. Sot kam bërë edhe unë testin për siguri. Deri më tani s’kam asnjë gjë, jam shumë i qetë. Të presim si do të dalin analizat”, ka sqaruar mesfushori i Vllaznisë për “Panoramasport.al”.