Pandemia rrit çmimin e miellit në vend me 15%

0
97

Çmimet e miellit u rritën me 15 për qind këto ditë si pasojë e ndikimit të pandemisë në bursat ndërkombëtare të grurit.

Një kilogram miell i zakonshëm për bukë, i paketuar në supermarkete, tani po shitet me 75 lekë nga 65 lekë që ishte më parë.

Prodhuesi më i madh i grurit në botë, Rusia, në mes të marsit kufizoi kuotat e eksportit në vetëm 7 milionë tonë për këtë vit. Këto kuota teorikisht janë ezuaruar dhe kjo ka bërë që çmimi i grurit për ton të rritet gjatë kësaj periudhe me 15-17 për qind.

Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, kishte paraajmëruar se kufizimet ruse do të sjellin rritje të çmimeve të miellit dhe nënprodukteve të tij edhe në tregun vendas, por ai përjashtoi rrezikun për mosfurnizim të rregullt të tregut.

Prodhimet e grurit nuk janë ndikuar nga pandemia, por vendet që zotërojnë prodhimin më të lartë janë duke e shfrytëzuar situatën për gjeopolitike dhe për të realizuar fitime gjithashtu. Kjo sjellje e prodhuesve të mëdhenj të grurit është nxitur nga rritja e kërkesës për furnizime të mëdha nga vende të tilla si Italia, Turqia, etj. gjatë pandemisë.

Roland Hysi, i cili drejton “Miell Tirana” tha se kontraktorët e tij kanë rritur çmimet muajin e fundit me mbi 10 për qind dhe në përgjithësi ekziston një stres në furnizime, por gjithsesi ai përjashtoi mungesa në miell në tregun e brendshëm.

Në vitin 2019, importet ruse zunë 54% të totalit të importeve të drithërave, sipas të dhënave nga INSTAT. Gjatë vitit 2019, importet e drithërave pësuan një rënie me 2,6%. Kjo rënie, sipas operatorëve të tregut, është nxitur nga mbifurnizimet gjatë vitit 2018 dhe nga kërkesa më e ulët në vitin 2019, si pasojë e rënies së popullsisë.

Eksportet nga Rusia shënuan rritje më 2019, duke rritur peshën e tyre në 54% të totalit nga 47% që ishte më 2018. Burimi i dytë më i madh i furnizimit me drithëra është Serbia, importet e së cilës zunë 35% të totalit më 2019, duke shënuar ulje në raport me vitin 2018, kur ato zinin 42% të totalit të importeve.

PËRGJIGJU