“Nxënës i ruses Puzanova dhe i mjeshtrit Simon Rota, diplomohet shkëlqyer në Leningrad, por në Shkodër u la në një shkollë 8-vjeçare”/ Dëshmia e të vëllait, për mjeshtrin e madh të portretit

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Jakup Kerajt nga qyteti i Shkodrës me nënën boshnjake, i cili pasi mori mësimet e para për vizatim në vendlindjen e tij nga rusja Viktori Puzanova dhe më pas nga mjeshtri  i penelit, Simon Rota, që e konsideronte atë si një nga nxënësit më të talentuar, erdhi në Tiranë dhe mbaroi me rezultate të larta Liceun Artistik “Jordan Misja” në vitin 1952.

Vajtja e Jakupit në ish-Bashkimin Sovjetik për të kryer studimet e larta pranë Akademisë së Arteve të Bukura “I.E. RJEPIN” të Lenigradit, ku ai u shqua si një nga studentët më të mirë dhe kur po realizonte punën e diplomës, në studion e tij shkoi ta shikonte piktori i famshëm rumun, Corneliu Baba, kurse reaktori i asaj akademie, në shenjë respekti dhe vlerësimi, mbante në zyrën e tij një punë të Jakupit.

Kthimi i tij në Shqipëri ku nuk pranoi që të zëvëndësonte një ish-pedagogun e tij në Liceun “Jordan Misja” por shkoi në qytetin e tij të lindjes, ku për shumë vite e lanë të punonte si mësues më disa shkolla 8-vjeçare dhe të mesme, ku dha lëndën e Vizatimit Teknik, dhe puna e tij plot vullnet e pasion në studion e vogël ku shpesh herë ndeshej me zilinë e kolegëve dhe shefat nga “lart” që i kërkonin ndryshime në tablotë e tij dhe ai detyrohej t’i shkatërronte më pas.

Në plejadën e madhe të artistëve shqiptarë të arteve figurative që kanë shkëlqyer në gjininë e pikturës, një vend të nderuar dhe të veçantë padyshim që ka edhe shkolla shkodrane me të famshmit Zef Kolombi, Ndoc Martini, Kol Idromeno, Simon Rota, etj. Në gjurmët e traditës së kësaj shkolle, ecën më pas edhe disa piktorë të tjerë nga ai qytet, ku mund të përmëndet piktori i njohur, Jakup Keraj, i cili është ndarë nga jeta nga fundi i viteve ’80-të.  Kush ishte Jakup Keraj, ku kishte studiuar ai dhe cili është kontributi i tij në pikturën shqiptare?

Jakup Keraj u lind në qytetin e Shkodrës më 15 shtator të vitit 1933, në një familje qytetare shkodrane. Babai i tij, Ahmeti njihej në të gjithë Shkodrën si mjeshtër i guzhinës dhe ai kishte mundur që të hapte dy restorante, një në qytetin e tij të lindjes dhe një në Tiranë, në fillim të viteve 1940-të, të quajtur “Bela-Venecia”.

Nxënës i ruses, Puzanova

Që në bankat e shkollës fillore, Jakupi shfaqi pasion e madhe dhe prirje për të vizatuar, gjë e cila ra në sy të prindërve të tij, e sidomos të nënës, Hatixhe, një grua fisnike e kulturuar me origjinë boshnjake, që rrinte me orë të tëra duke shikuar djalin e vogël të përkulur me laps në dorë mbi fletët e vizatimit. Të bindur për dhuntinë e Jakupit të vogël, ata e dërguan për të marrë mësime private tek një zonjë ruse, piktore-restauratore të quajtuar, Viktori Puzanova, që asokohe banonte në qytetin e Shkodrës, e cila u kujdes për disa vite për atë nxënës që thoshte se dallon shumë nga të tjerët. Më pas, Jakupi u bë një nga nxënësit e piktorit dhe mjeshtërit të famshëm shkodran, Simon Rotës, i cili shihte tek ai, një talent që premtonte shumë. Nga të gjithë nxënësit që kishte piktori shkodran, Simon Rota, Jakupin e donte dhe e vlerësonte më shumë, duke e dalluar veçmas të tjerëve. Lidhur me këtë, në kujtimet e tija, profesor Simoni në mes të tjerash shkruante: “Jakupi është një djalë shumë simpatik dhe i veshur me mjaft shije. Ai më priste jashtë dritares që unë të mbaroja mësimin dhe të vinte për të marrë modelet e vizatimit. Unë shpesh çuditesha, sepse Jakupi i përpinte menjëherë ato dhe vinte e m’i kthente së bashku me punën që kishte bërë. Vite më vonë, kur Jakupi u rrit dhe u bëmë koleg në Shkollën Pedagogjike të Shkodrës, sa herë që më shihte, ai i hiqte duart nga xhepat dhe më thoshte; Faleminderit profesor. Unë çuditesha nga kjo sjellje e tij dhe një ditë e pyeta: Jakup, pse më thua faleminderit?! Ai m’u përgjigj: Se tërë jetën, sa herë të më takonte do të ma thoshte atë fjalë. Më ishte mirënjohës për mësimet e pikturës që i kisha dhënë dikur”. Sipas disa dëshmive nga qyteti i Shkodrës, aq shumë e kishte dashur dhe vlersuar nxënësin e tij  mjeshtri Rota, saqë në shenjë kujtimi i pati dhuruar dy tre vizatime dhe një tablo të tij në gjininë e pejsazhit. Në vitin 1948-’49, pasi Jakupi kishte marrë disa vite mësime vizatimi te mjeshtri Simon Rota, ai vjen në Tiranë dhe regjistrohet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, të cilin e mbaroi me rezultate të larta. Pothuaj gjatë gjithë kohës që Jakupi studjoi në Lice, ai ishte nën patronazhin e piktorit të njohur, profesor Nexhmedin Zajmi, i cili kujdesej dhe për dy shokë të Jakupit nga Shkodra, Danish Jukniu dhe Angjelin Dodmasej.

Student në Akademinë e Leningradit

Pasi mbaroi me rezultate të larta Liceun Artistik në vitin 1952, Jakupi fitoi një të drejtë studimi që të shkonte dhe të ndiqte mësimet në Akademinë e Arteve të Bukura “I.E. RJEPIN” të Leningradit. Në atë akademi asokohe studjonin edhe studentë të tjerë shqiptarë (që vite më vonë do të bëheshin mjeshtrat e mëdhenj të pikturës e skulpturës shqiptare), si Guri Madhi, Vilson Kilica, Shaban Hadëri, Kristaq Rama, Rafael Dembo etj. Lidhur me periudhën që Jakupi studioi në ish-Bashkimin Sovjetik, vëllai i tij, kompozitori, poeti dhe piktori i njohur, Ruzhi Keraj, tregon se ai shpesh herë fliste me mall për atë kohë, duke kujtuar me nostalgji të gjithë shkokët e shkollës e në veçanëti, korçarin, Rafael Dembo. I cili gjatë një praktike mësimore në Kaukaz, u rrëzua nga një shkëmb dhe mbeti i gjymtuar për tërër jetën. Gjatë pesë viteve që studio në Akademinë e Liningradit, Jakupi u vlerësua si një nga studentët e talentuar dhe në kujtimet e pedagogëve mbeti shumë gjatë emri i tij. Kur disa vite më pas, aty në atë akademi, studjonte Sali Shijaku, pedagogët e thërrisnin atë Jakup. Në atë kohë një nga punimet më të mira të Jakupit u vendos në zyrën e Rektorit të Akademisë, gjë e cila ishte një privilegj i pak studentëve që nga krijimi i asaj akademie. Në përfundim të studimeve, kur Jakupi po punonte për tabllonë, “Çlirimi i grave nga burgu turk”, që e kishte punë diplome, në studion e tij hyri piktori i madh rumun, Corneliu Baba, që gjithashtu ishte një privilegj i pak studentëve të talentuar. Në ato pak minuta që piktori i madh rumun, qëndroi në studion e studentit shqiptar, komunikimi në mes tyre si fillim ishte tepër miqësor. Kjo gjë u zbeh, kur mjeshtëri i madh Baba, iu drejtua Jakupit duke i thënë që ta vazhdonte akoma më tej tabllonë. Në atë çast, Jakupi vuri firmën poshtë tabllosë dhe iu drejtua: “Profesor, për mua kjo ka mbaruar”. Nga kjo periudhë e studimeve në Leningrad, në fondin e Jakup Kerajt, ndodhen disa punë të mira si nudot e mrekullueshme, portretet e bocetet të cilat ishin bagazhet e vetme që ai u kthye nga Bashkimi Sovjetik.

Në Shkodër mësues Vizatimi Teknik

Pasi mbaroi studimet dhe u diplomua me rezultate të larta në Akademinë “I.E. RJEPIN” të Leningradit, (Shën Petersburg), ai u kthye në Shqipëri në vitin 1956.

Në atë kohë një nga drejtuesit e Ministrisë së Arsimit e thirri Jakupin në zyrë dhe i vuri një alternative, që ai të zëvëndësonte një piktor të njohur në Liceun e Tiranës, ose në të kundërtën të shkonte për të punuar në Shkodër. Jakupi kurrsesi s’pranoi që të shkonte në Lice dhe të zëvëndësonte ish-pedagogun e tij dhe kërkoi që të emërohej në qytetin e tij të lindjes në Shkodër. Pas kësaj drejtuesit e Arsimit në Komitetin Ekzekutiv të Shkodrës së asaj kohe, e caktuan Jakupin si mësues të Vizatimit Teknik në gjimnazin ”29 Nëntori”, Jakupit i dhanë edhe një studio të vogël, me përmasa 2 m. me 2 m. katrorë. Në atë ambient të vogël, ai realizoi disa nga punët e tij më të mira, siç është ajo me titull “Heronjtë e Mashkullorës”. Gjatë kohës që Jakupi punonte këtë tabllo që është vlersuar nga kritika si vepër e arrirë artistikisht, për ta kundruar atë nga largësia, shpesh herë ai dilte jashtë saj. Megjithë kushtet shumë të vështira në të cilën ndodhej asokohe familja e Jakupit (të gjashtë vëllezërit vazhduan e u diplomuan në shkollat e Larta, tre nga të cilët artistë) babai i tyre, Ahmeti, me sakrifica të mëdha mundi që t’i ndërtonte një studio aty në shtëpinë e tij. Pas ndërtimit të asaj studio e cila kishte kushte shumë më të mira nga ato ku kishte punuar më parë, ai filloi të punonte më me shumë kënaqësi dhe të qëndronte aty me orë të gjata i përkulur mbi kavalet. Kështu ai punoi tabllonë “Kuvendi i Lezhës”, “Marshimi i Dimrit”, e disa portrete e tabllo që sot gjenden në Galerinë e Arteve të Shkodrës dhe të Tiranës. Lidhur me tabllonë “Kuvendi i Lezhës”, vëllai i Jakupit, Ruzhdiu kujton: ”Kur Jakupi punonte atë tabllo, ai ishte shumë i mërzitur nga fjalët e disa dashakeqësve që gjithë jetën i pati rreth e rrotull. Por për fat, ato ditë në studion e tij shkuan dy miqtë e tij, aktorët dhe regjisorët e njohur shkodran Lec Bushati (që i fali zërin e Skëndërbeut, rusit Akaki Khorava) dhe Preng Lëkunda. Pasi ata e panë tabllonë, brohoritën me një zë: Kjo është një mrekulli, një kryevepër. Vlersimi me superlative që i bënë asaj tablloje dy aktorët e regjisorët e mirënjohur, e ngrohu disi Jakupin, në atë ftohtësi, ku e kishte futur egoizmi i sëmurë i disa kolegëve të tij”.

Portretist e mjeshtër i ngjyrës

Pasi Jakupi punoi për disa vite si mësues i lëndës së Vizatimit Teknik në gjimnazin “29 Nëntori” atë e caktuan si mësues në Shkollën Pedagogjike “Shejnaze Juka”, ku ai vazhdoi të punonte më me passion dhe gjatë gjithë karierës së tij si piktor, ai lëvroi me sukses të gjitha teknikat e gjinitë e pikturës, si: peisazhin, portretin, kompozimet etj. Mjaft nga kolegët e tij e vlersojnë Jakupin duke thënë se veç të tjerave, ai është dalluar nga piktorët e tjerë, si mjeshtër i vizatimit dhe i ngjyrës, e në veçanti në realizimin e portreteve, disa prej të cilave konsiderohen si kryevepra të pikturës shqiptare. Për këtë gjini ai ishte vlersuar edhe nga profesorët e Akademisë “I.E. RJEPIN” të Leningradit ku ai ishte diplomuar. Ndonëse asokohe për piktorët shqiptar portreti konsiderohej si herezi dhe shumë koleg të tij e shmangnin atë, Jakupi realizoi disa të tilla. Si p.sh. atë të shokut të tij të ngushtë, piktorit të njohur Danish Jukniut, portretin e vëllait, Ruzhdiut etj. Të kësaj periudhe janë dhe veprat e tij, “Dedë Gjo Luli”, “Hodo Sokoli”, “Vajza nën Hardhi”, e shumë portrete të tjera. Vladimir Myrtezai, një nga piktorët e një brezi më të vonë se Jakupi, i cili gjithashtu ka dalë po nga shkolla shkodrane e vizatimit  kujton: ”Jakupi vetë ishte natyrë impresioniste. Ai çdo punë e realizonte me një frymë duke mos i’u ndarë për asnjë çast, e pa ndjerë lodhje. Ai ishte një tip refuzues dhe ka pasur disa raste kur nga vërejtjet e marra nga kritika, ai ka shkatërruar fare punët e tija, për të cilat kishte punuar me shumë mund. Aty ku kritika kërkonte që tabloja të vazhdonte, për Jakupin ajo kishte mbarruar, dhe e kundërta, kur ajo e quante të përfunduar, ai e vazhdonte atë. Jakupi nuk ju kthye kurrë veprave të tij për së dyti”, kujton Myrtezai, për piktorin e njohur dhe antikonformist shkodran. Përveç gjinisë së portretit ku Jakupi shkëlqeu me gjithë talentin e tij, ai la dhe disa vepra mjaft të arrira në peisazhe si “Shkodra”, “Kalaja e Rozafatit”, “Buna”, “Bora në Shkodër” etj. Nga fundi i viteve ’80-të, pasi kishte punuar si mësues në dy shkolla të mesme, Jakupin e hoqën dhe e emëruan në një shkollë 8 vjeçare ku punoi disa vite, për t’u dërguar më pas në atë të Muzikës “Preng Jakova”.

Thethi, inspirimi i përjetshëm

Një nga inspirimet e Jakupit ishin bukuritë natyrore të Thethit, ku ai shkonte vazhdimisht dhe mahnitej prej peisazhit të tij. Nga mesi i viteve 80-të kur ai u sëmur, edhe pse e dinte që nuk i kishte mbetur shumë jetë, në bisedat me familjarët dhe miqtë e tij, ai nuk e përmendi asnjëherë vdekjen. Ai ishte një njeri me moral të lartë dhe nuk u ligështu asnjëherë nga sëmundja që e kishte mbërthyer. Lidhur me këtë, i vëllai Ruzhdiu kujton:”Në atë kohë, ndonëse me një shëndet të rënduar, ai u tregua tepër vital. Ashtu në atë gjëndje ku këmbët nuk i përgjigjeshin më, i shtrirë mbi batanije, pikturën e fundit e realizoi në Theth. Po aty ai u takua dhe bisedoi gjatë me mikun e tij të mirë, prof. Vehbi Balën, e pas asaj bisede, të dy i thanë lamtumirë njëri tjetrit, dhe u larguan për të mos u parë më kurrë”.

Vdekja e Jakupit, Kilica e pasqyron në tablo

Nga fundi i vitit 1987, gjendja shëndetësore e Jakupit u rëndua së tepërmi, saqë nuk mund t’i bënte dot ballë sëmundjes. Atë fund vjeshte, megjithë motin e keq, varrimi i tij në qytetin e Shkodrës ishte madhështor. Një nga shokët dhe kolegët e tij, piktori i njohur, Vilson Kilica, i impresionuar nga ai varrim, si për ta kujtuar gjithmonë shokun dhe kolegun e tij të gjallë, e pasqyroi atë në një tabllo të madhe. Kjo pikturë është ndoshta nga më unikalet në të gjithë historinë e pikturës shqiptare. Pak kohë pas ndarjes së Jakupit nga jeta, pushteti lokal në qytetin e Shkodrës, ia mori studion që ai me vështirësi e kishte rregullar dhe e bëri shtëpi banimi. Kështu përveç disa tabllove të tija, që gjenden në Galerinë e Arteve të Tiranës dhe Shkodrës, pjesa tjetër e fondit të Jakupit ndodhet në fondin e familjes Keraj në Shkodër. Edhe pas vdekjes së Jakupit, piktura në familjen Keraj mundi të jetonte, pasi përveç vëllait, Ruzhdiut (poetit dhe kompozitorit të njohur) i cili ka hapur disa ekspozita vetjake në qytetin e Laçit dhe Tiranë, në gjurmët e Jakupit, ecën edhe dy fëmijët e tij: vajza Albana dhe djali Petriti, të cilët në vitet ’90-të u diplomuan në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë për pikturë e skulpturë./Memorie.al