
Nga Damir Dibra
Tuzi: Kur pronari i shpisë quhet “mysafir”
Në vitin 1909, Tuzi nuk ishte nji “projekt multikultural”. Ishte thjesht shqiptar. Sa herë nji njeri përmend shifrat e vjetra, dikujt në Tuz i hipë temperatura. Pse? Sepse shifrat janë kokëforta. 100% shqiptarë nuk asht opinion, asht nji fakt që sot po mundohen me e fsheh nën tepihun e “bashkjetesës” që i vjen era klor. Asht ba nji modë e fëlliqtë; se nëse n’Tuz thu “jam n’tokë teme” ose flet për nanën Shqipni; bota e “civilizueme” t’shikon sikur ke nxjerrë koburen.
Na quajnë fashista? Interesante m’duket. Me kënë fashist domethanë me dashtë me i marrë frymën tjetrit. Po na, n’tokë tonë edhe prap thojnë mos fol. Asht shumë interesante kjo puna e sulmeve. Kur na flasim për histori, na quajnë shovinista. Kur na krenohemi me t’parët, na quajnë fashista. M’falni, po a ka ironi ma t’madhe se me u quejt “fashist” nji popull që ka shpenzua shekuj e shekuj tue u mbrojt prej fashizmave t’tjerëve?
Na s’kena dalë me pushtue toka t’huja; na po mundohemi me majt mend ku i kemi lanë gardhiqet tona. Nëse dashnia për pragun e shpisë tane quhet “fashizëm”, atëherë këta tregtarët e moralit paskan nji fjalor që as dreqi s’ua merr vesh. Se për këta “demokratët” e Tuzit, patriotizmi shqiptar asht si nji parfum i ranë: neve na knaq shpirtin, po ata i kap për fyti.
Asht edhe e çuditshme se si patriotizmi i tyne shitet si “stabilitet shtetnor”, ndërsa i joni si “rrezik rajonal”. Kjo nuk asht drejtësi, asht thjesht nji tentativë me na i lidhë duart me tela, që na mos me guxue me prekë historinë tonë. E pse u pengon kaq shumë kur flasim për rranjët? Sepse rranja e shqiptarit n’Tuz asht ma e vjetër se çdo hartë që ata kanë vizatue me lapsa t’huej.
Nuk asht shovinizëm me dashtë Tuzin shqip; asht ekologji shpirtnore. Asht me mbajt gjallë nji bimë që ka mbijetue pa u vaditë prej kurrkujt, veç prej gjakut t’vet. Nuk jena as shumicë, as pakicë; jena rranjë. E as nuk bahena “kozmopolitë”; vetëm që na me harrue me kënë shqiptarë.
Kështu që, të dashtun kojshi që ngatërroni krenarinë tonë me kompleksin tuaj; nuk jena shovinista, se e dimë kush jena. Nëse dashnia për këtë tokë quhet “fashizëm”, atëherë unë po i dërgoj t’fala tanë botës prej Tuzit: Mirëseerdhët në fashizmin tonë ku nuk kërkohet leje prej mysafirit me nejtë n’votër t’vet e me folë gjuhën e t’parëve!





