Komisioni i Shëndetësisë miraton huanë 25 milionë euro për spitalet rajonale…

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin shtesë për projektin “Përmirësimi i Sistemit të Shëndetësisë” u miratua të hënën në komisionin parlamentar për Shëndetësinë me kontestimet e opozitës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu prezantoi objektivat e kësaj huaje, ku pjesën kryesore e zë përmirësimi i infrastrukturës dhe dixhitalizimi i informacionit shëndetësor. “Ndahet në tre komponentë; e përmirësimit të infrastrukturës; e përmirësimit të menaxhimit të informacionit shëndetësor dhe në komponentin e tretë monitorim, vlerësim, menaxhimin e projekteve dhe asistencës teknike,” tha Manastirliu.

Konkretisht infrastruktura do të përfshijë disa spitale sipas ministres, si; rehabilitimin e spitalit të Kardiokirurgjisë, spitalit të Djegie-Plastikës, Spitalit Psikiatrik dhe rehabilitimi i spitalit të Lezhës e Krujës.

Në relacionin shoqërues të marrëveshjes, argumentimi i kredisë lidhej me pasojat e tërmetit të vitit 2019 dhe si pjesë e strategjisë kombëtare për 2021-2030 për shëndetësinë.

Ministrja e cilësoi një kredi shtesë për realizimin e objektivave të projektit mëmë 32.1 milionë euro që është në zbatim me Bankën Botërore.

Deputeti i LSI-së, Petrit Vasili, i kërkoi ministres që të bëhej një analizë e zbatimit të kredisë sipas projekteve konkrete për spitalet.

Ndërsa deputeti i PD-së, Tritan Shehu, i cilësoi shumë të përgjithshme objektivat për një kredi të tillë. “Këto objektiva nuk zgjidhen me 25 milionë euro,” tha ai, ndërsa kërkoi nga ministria një analizë të detajuar se si janë realizuar objektivat e kredisë së parë.

“Si mund të miratojmë një kredi të re pa ditur se si janë realizuar objektivat e kredisë së parë që kemi marrë për të njëjtin projekt,” tha ai.