
Në zonën turistike të Zogajve, një ndër destinacionet më të frekuentuara gjatë sezonit veror, qendra shëndetësore përballet prej kohësh me një problem serioz. Ajo qëndron më shpesh e mbyllur sesa funksionale, për shkak të mungesës së mjekëve.
Kjo situatë shqetësuese rëndohet edhe më tepër gjatë muajve të verës, kur numri i vizitorëve dhe turistëve rritet ndjeshëm, duke shtuar nevojën për shërbime shëndetësore të menjëhershme dhe cilësore.
Banorët e zonës shprehen të alarmuar për këtë realitet, duke theksuar se mungesa e një shërbimi bazë si kujdesi shëndetësor përbën rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe mirëqenien e tyre, por edhe për pushuesit që zgjedhin këtë destinacion.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Shëndetit Publik bën të ditur se po ndërmerren hapa konkretë për ristrukturimin e këtij shërbimi.
Sipas tyre, synimi është që në këtë qendër të vendoset të paktën një mjek i përhershëm, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i saj normal dhe i vazhdueshëm, veçanërisht gjatë sezonit veror.





