JO VETËM EFEKTIVIT/ Ja kush është personi tjetër që 33-vjeçari i kishte vendosur tritol në Shkodër, dy shpërthime…

Dedë Nikaj ra sot në prangat e policisë së Shkodrës, pasi dyshohet se është autori për vendosjen e eksplozivit në banesën e punonjësit të policisë, Prelë Milani.
Por mësohet se kjo nuk është akuza e vetme për Nikajn, pasi ai dyshohet se është i përfshirë edhe në një tjetër ngjarje të ngjashme. Sipas policisë, Nikaj ka vendosur lëndë plasëse në shtëpinë e Kolë Bungajas, në fshatin Grudë e Re, vetëm pak orë pasi e kishte vendosur në shtëpinë e efektivit.

Në atë kohë, shpërthimi i parë ndodhi në banesën e policit të Shkodrës Prelë Milani me detyrë komandant poste në Theth. Nga ky shpërthim nuk pati të lënduar, ndërsa polici Prelë Milani sapo kishte ikur për punë ndërsa në banesë ishte vetëm bashkëshortja dhe vajza e tij. Sasia e lëndës plasëse ishte vendosur në pjesën e pasme të banesës private të policit në zonën e Zooteknikës. Tritoli ka shpërthyer afër një barake ku nuk jeton askush dhe përdoret si magazinë nga familja.

Asokohe, Milani pohoi se ngjarja mund t’i kishte ardhur për shkak të detyrës si polici dhe komandant poste në Theth. Çështja e kultivimit të drogës në Dukagjin ka qenë problematike dhe efektivi Milani është përballur shpesh herë me asgjësim të lëndëve narkotike si pjesë e policisë. Policia Milani ka mohuar të ketë patur ndonjë presion, kërcënim apo konflikt të drejtpërdrejtë.

Nga ana tjetër, në shpërthimin e dytë, familja Bungaja ndodhej në gjumë kur ka ndodhur shpërthimi, që u dëgjua deri në qytetin e Shkodrës. Nga ky shpërthim, ku lënda plasëse ishte vendosur në portën hyrëse, nuk pati të lënduar në njerëz ndërsa u shkaktuan vetëm dëme materiale. Edhe kjo familje pohoi se nuk kishte konflikte me askënd. Por pas gati 3 vitesh, u bë e mundur arrestimi i 33-vjeçarit si autor i dyshuar.