“Historitë e zonjave shkodrane që me strajca në krah, shkonin në këmbë në burgun e Burrelit, ku…”

Nga Fatbardha Mulleti (Saraçi)          

Memorie.al/publikon disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’, i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit. Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili është fryt i një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur të disa prej grave dhe vajzave shqiptare që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj, Pertefe Mulleti, e me rradhë: Marie Deda, Hajrie Kazazi, Kushe Seknej, Mrike Pali, Zyliha Rusi, Roza Jakova, Fatime Dilaveri, Hatixhe Pipa, Marije Gjoka, Angjelina Topalli, Hatixhe Kopliku, Nafije Kopliku, Vebije Bushati, Budije Bushati, Adile Kazazi, Antonela Dostanishta, Nafije Stërmasi, Luçije Saraçi, Adile Meta, Qeuthere Meta, Feride Damnori, Vitore Ashta, Fetije Vuçiterni, Zehnije Gjylbegu, Xhyhere Kazazi, Luçije Malaj, Sadije Kazazi, Lezinë Toni, Zade Muka, Hava Repishti, Luçije Kurti, Rukije Bushati, Shaqe Logoreci, Qamile Myftija, Marie Ndokëllia, Rozë Çefa, Çilë Staku, Shaqe Marku, Lajde Arapi, Lutfije Barbullushi, Syme Muka, Zenepe Kraja, Fahrije Kazazi, Naxhije Curri, Nexhi Plaku, Lizë Vukeli, Bade Kjaraj, Hava Baçi, Xhehadire Boriçi, Vitore Kalaj, Katerina Benusi, Sofije Baja, Lenë Pjetri, Dava Markagjoni, Mrika Markagjoni, Marta Gjonmarkaj, Bardha Gjon Markagjoni, Kristina Gjomarkaj, Çelestina Gjomarkaj, Mrika Pervizi, Prena Pervizi, Kune Miraka, Sulltana Dine, Vera Dine, Agime Dine, Hamide Çela, Vera Dine, Kadrije Cami, Sanije Sulaj, Meliha Sulaj, Vashe Kola, Prena Llesh Gjeçi, Gjystina Seku, Ilda Melgusha, Agime Pipa (Aranitasi), Terezina Pali, Liza Pali, Adile Boletini, Nasibe Kazazi, Ana Daja, Dila Zef Ndoja, Zyraka Mano, Shanisha Dosti, Zojë Gjeloshi, Drane Stakja, Elena Luli, Sabiha Kasimati, Marije Deda, Marije Shllaku, Biçe Pistulli, Sadije Kazazi, Gjyzepina Çoba, Marta Doda, Frida Satedini, Vitore Kuka, Gjela Llesh Biba, Bardha Cub Marku, Liza Llesh Mali, Bardha Mark Bushkola, Marije Tuci, Olimbi Baruti, Angje Kovaçi, Bedrije Ashikja, Musine Kokalari, Motër Gjeorgjina, Liljana Radovani, Laura Keqi, Mrike Pepa, Mrike Zadeja, Angjelina Shantoja, Naime Koçi, Sheriar Sefa, Vitore Shllaku, Liza Gjon Voci, Nina Shiroka, Laje Mehmeti (RRema), Feride Beshiri (Quku), Hasije Ulqinaku (Quku), Sofije Kali, Çile Gjush Larja, Nurfezo Koprencka, Sanije Gjylbegu, Emilja Shestani, Marije Bregu, Vida Radovani, Nedrete Pipa, Motrat e Osman Kazazit, Safete Jusif Sokoli, Çiljeta Simoni, Lutfije Buashati, Sadije Bushati, Olga Schëeizer Libohova, Evelina e Ndoc Naraçit, Geraldina Apony-Zogu, Hilda Zyma. Marie Rafael, Zade Muka,Rukije Bushati, Hajrie Vrioni, Emine Gjyrezi, Xhemile Beqir Komi, Hedije Dume Repishti, Syme Muka, Fetije Vuçiterni, Sebije Puka, Marjeta Serreqi, Dhurata Sokoli, Klara Miraka (Merlika), Asije Habili, Sose Nik Sokoli, Liri Cenaj, Rudina Dema, Adelajde Miraka, Drane Jakja, Syriha Hasi, Aishe Gogaj, Luçija Kaçaj, Gjyljana Malaj (Pervizi), Nadide Kasaruho, Nadire Kërçiku (Peshkëpia), Shpresa Ballolli (Merdani), Makbule Frashëri, Mishan Çini, Gjyslyme Dervishi (Leka), Natali Arkandi Rozengolc (Pengili), Vigelmina Vitalij Kovaleshko (Veshi), Rukije Rama, Tefta Tasi, Liri Lubonja, Kozara Kati, Shpresa Ngjela, Vera Bekteshi, etj.

Nexhi Plaku

 (1914- L991)

Në kulmin e jetës së saj, kur sapo i kishte kalue të 30-at, Nexhi Plaku, e familjes së Danhasanëve të Shkodrës dhe e martueme në Tiranë, provoi atë që nuk mund t’i shkonte ndër mend. Burri i saj, Hajro Plaku, dënohet politikisht nga regjimi komunist me 15 vjet burg, tue lanë në mjerim gruan me dy fëmijë. Ishte vetëm viti 1947, sepse mbas tij do të vinin edhe ngjarje të tjera…!

Mbasi u shpronësue, sikurse u provue edhe nga shumë familje të tjera, dëbohet. Një fjalë goje…! Nga jeta e saj normale, do t’i duhej të merrte rrugën e Kavajës, ku u internue. Me shumë mundime mundi të fitonte të drejtën që të jetonte në Shkodër, në qytetin e lindjes. Për gati 15 vjet ndoqi të shoqin në kampet e punës. E ata ishin kaq të vështirë…! Burrit të saj, nën tokë i duhej të nxirrte krom (Bulqizë) e të hapte kanale (Beden-Kavajë), vende, ku shumë si ai edhe u groposën përjetë.

Jo vetëm buka që i mungonte. Ishte edhe halli për familjen që e priste jashtë telave. E Nexhi, bukën e pakët e ndante me burrin që e kishte brenda tyre…! Me sakrifica, që pakkush mund t’i kuptojë, ajo e fëmijët e saj, i’a mbushën me sa mundën, atë boshllëk, që e ndoqi nga viti në vit. Për shumë vite, me punën e rëndë në Stacionin e Zooteknikës, me ato pare të fitueme me gjak, tek s’ban, si thotë populli, ajo ia lehtësoi vuajtjet atij. Ndërkohë, si klloçka që i struk zogjtë e vet, ajo pati në kujdes fëmijë e saj jetimë, me prind, për së gjalli. Si shumë nana të tjera…! Si shumë të tjera i mëkoi me bukën e pakët-edukatën, u injektoi dëshirën e nevojën e shkollës.

Truallin e kishte të mirë. Ata e kishin këtë dëshirë. U rritën të ndershëm, e për të mbërrit këtu, ata s’patën shumë punë, sepse e kishin para syve modelin. Nevoja i mësoi të ishin punëtorë e të sjellshëm, se u duhej jo vetëm të mbijetonin, por edhe t’ia lehtësonin hallet që i kishte aq të shumta.

Fatmirësisht, temperamenti i saj e ndihmoi në përballimin e telasheve. Ishte fat për të që ishte besimtare e devotshme. Ishte fat për të që kishte besim në forcat e veta. E afrueshme me njerëzit, e dashtun me ta, me sy të qeshun edhe kur vuante e ishte në dëshpërim, ja këto ishin veti të karakterit të saj të fortë. Gjithkah përplasje. Gjithmonë fituese: ta mbante burrin në burg e t’ia lehtësonte vuajtjet e nga ana tjetër të rriste e të edukonte fëmijët e vet. Aspak kollaj ta kryente këtë detyrë, tue ba punë të rënda e tue jetue bodrumeve me lagështinë. Edhe burrë, edhe grua…!

Mundi nuk i shkoi kot. Puna e rëndë nuk iu nda kurrë, por ia arriti të kryejë detyrat e veta, si grua e si nanë. Fëmijët e saj qenë model. E kur ajo, nga sëmundja që e mbërtheu nuk mund të ecte ma, i biri do ta shëtiste me biçikletë…! Ashtu e paralizueme u gëzohej nipave e mbesave…!

Lizë Vukeli

(1936)

Nuk asht për t’u çuditë, që diktatura komuniste në Shqipni krijoi aq shumë kundështarë politikë. Mjerimi i përgjithshëm ekonomik, izolimi nga bota e qytetnueme, mungesa e lirive ma elementare, shkelja me dy kambë e të drejtave të njeriut etj., etj., ishin nga shkaqet kryesore që rritën zemërimin popullor. Kështu edhe atë të Lizë Vukelit, sidomos kur mbas 5 vjetësh martesë, i dënojnë të shoqin me 13 vjet burg. Me 3 fëmijë të vegjël ajo mbeti, si të thuash, në rrugë të madhe. Në ndihmë i erdhi i ati, që e mori në familjen e tij.

Asht pak me thanë që ajo vuajti për bukën e gojës. Puna në kooperativë, ia jepte atë veç thatë. Edhe burri duhej ndihmua, me aq mundësi sa kishte. Siç kujton ajo: “Ma shumë me e pa, se me i çue gjë”, e ndoqi atë kudo në burgjet e kampet e punës, si në Rubik, Fushë-Krujë, Elbasan e Spaç. Herë me të atin, e herë me të amën, ma shumë vetëm ose e shoqnueme me gra të tjera të burgosurish. Të shumtën e herës majë kamionësh, herë-herë në këmbë. Jo rrallë fjeti jashtë. Gjithkah zi…!

Fëmijët po rriteshin. Në shkollë mësonin mirë, por e dinin se nuk do të kishin mundësi ta vazhdonin atë. Ata ishin të paracaktuara që të punonin veç në bujqësi. E këtë e kishin kuptue herët. I vinte keq për ta, kur shihte diferencimin që u bëhej. Edhe fëmijëve u vinte keq për nanën e tyre, që sa vinte e mblidhej prej halleve të shumta. Ajo ofshante, ata shtrëngonin dhëmbët.

Punonte kokëulun gjithë ditën e ditës. Kokëulun te pusi për ujë, kokëulun rrugës, që askush të mos mund t’i thonte një fjalë të keqe. Burri ishte në burg e ajo nuk donte që t’ia shtonte vuajtjet. Ashtu e fortë e me karakter duroi vitet e gjata të ndarjes e vetmisë. Duroi me stoicizëm urinë e përhershme. Duroi edhe përndjekjen që herë pas here i bëhej. Kishte fëmijë që po i rriteshin, priste të shoqin t’i lirohej, priste bashkimin e familjes. Jetoi me djersën e ballit e kujtimet e bukura të viteve të shkueme, pa u pendue për qëndrimin korrekt, tue lanë në njerëzit bashkëvuajtës, emrin e mirë të malësores fisnike.

Bade Kjaraj

(1926)

Fshati Nikç, sikurse e gjithë zona e Kelmendit, ka nxjerrë burra që i kanë vue gjoksin vijës së kufirit, tue u bë koracë e gjallë në mbrojtje të tanësisë tokësore të atdheut. Një nga këto familje ishte ajo e Kadri Muçës, i cili, atë vajzë që kishte, Baden, e dha në Aliaj të Kastratit për Islam Zenelin. Ishte viti 1943.

Dy vjet nusërim. Veç dy. Ashtu si janë vitet e para, Badja, që s’ishte ma shumë se 19 vjeçe, tashti filloi të jetojë një jetë krejt tjetër; krejt të paimagjinueshme. I shoqi, antikomunist i vendosun, del në mal. Bades i duhet të trokasë në dyert e hetueseve. Hetues maskarenj e të pashpirt, herë e kërcënonin e herë e merrnin me të mirë, tue i kërkue që t’u tregonte se ku ishte burri, cilët ishin shokët e tij, ku ishin fshehë armët etj., etj. Deri këtu, çdo gjë dukej normale, por kur ajo qëndronte e palëkundur, atëherë fillonin torturat, aq sa edhe sot ajo e ka të vështirë t’i kujtojë.

Më 1946-ën i shoqi kapet. Në shtëpinë e tyre nuk shkoi një polic, por disa. Dënimi i parë për të gjithë familjen ishte sekuestrimi i pasurisë. E vetme, duhej të mbante veten, fëmijët, vjehrrën dhe burrin në burg për disa vjet. Mandej erdhi mbi tatimi. Duhej të dorëzonte detyrimin e grunit, e meqë makinë shirëse nuk i jepnin, ishte e detyrueme, ditë e natë ta shinte grurin me shkopinj. Një ditë erdhën disa kushërinj e i thanë se i vëllai po martohej. Në këmbë drejt Nikçit, në heshtje. Gëzimi e hareja e zakonshme mungonte. “Zot, çka asht kështu? Ku asht kënga? Ku asht gazi? Pse të gjithë vetëm se mendojnë?” Ma në fund mbërritën në shtëpi. Kallaballëk. Kurrkund shenjë dasme. Veç vaje e kuje. I kishin pushkatue vëllain pa gjyq. Vetëm qau. Çfarë të bënte tjetër?

Më 1953-in i shoqi dënohet prapë. Pas katër vjetëve, Baden, që tashmë kishte tre fëmijë e vjehrrën, e nxjerrin forcërisht jashtë shtëpisë. Kjo ishte tortura ma e madhe në jetën e saj. Ishte muaji mars. Dimni ende në këmbë. Një familje jashtë. Në kuptimin e plotë të fjalës. Një karrocier zemërmirë i strehoi (natën) në karrocën e tij. Aq mund të bënte. Për një muaj, kjo karrocë ishte streha e tyre: e tre fëmijëve që flinin sipër, e poshtë saj, ajo me plakën. Kështu derisa gjeti një bodrum, diku në lagjen Kiras. Për kohën, kjo i’u duk luks. Në vitin 1960, burri lirohet nga burgu. Deri atëherë ushqehej në burg, tashti duhej të ushqehej në shtëpi. I papunë. Halle pa mbarim. Për 8 vjet radhazi.

Më 1968-ën, mbasi i shoqi nuk pranoi ofertën e Sigurimit për të bashkëpunue me të, familja internohet në fshatin Nënshat. Në dispozicion i’u vu një dhomë 3 x 3 m., plotësisht e pabanueshme. Badja nuk përfilli punën e rëndë, të ftohtit e të nxehtit ekstrem, nuk përfilli urinë e përditshme. Ajo nuk duroi apelin e përditshëm, shpesh disa herë në ditë. Ajo ishte torturë mbi torturat. 13 vjet internim. Kur edhe burri iu paralizue, çfarë të bënte? 7 vjet i gozhduem për shtrati. Ajo vetëm se luftoi me jetën në të gjitha planet, derisa erdhi demokracia, që e gjeti të stërlodhun, me eshtrat e shokut të jetës në fshatin Mjedë…!

Hava Baci

(1921 – 1998)

Ishte vajza e vetme e Ymer Tafilicës. Si i tillë, dhe për cilësitë e mira që kishte, ajo familje zanatçinjsh brez mbas brezi, e adhuronte.

U martue me Xheladin Bacin, që kishte mbaruar shkollën amerikane të Fultz-it, ku qe mbajt si profesor. Iu lindi një djalë.

Regjimi komunist nuk nguroi aspak që-gjithë nxënësit e kësaj shkolle t’i klasifikonte si “armiq të pushtetit popullor ”, “agjentë të imperializmit amerikan”, etj. Kështu që edhe Xheladini u arrestue e mbas dy vjet torturash u dënua me 10 vjet burg. “Gjithmonë, kur merrja rrobat e tija për t’ia la,- tregon Havaja,- ishin me njolla gjaku”. Me fëmijë të vogël, ajo qe e detyrueme të bënte lloj-lloj punësh. E ndoqi edhe ajo burrin e saj që “shëtiti” disa burgje e kampe (Tiranë, Beden, Maliq, Orman Pojan). Shumë herë e mori dhe djalin, që po rritej, për të pa babën e vet. Sapo kishte hy në klasën e parë, kur i tha nanës së vet: “Nanë, kur të rritem do të bëhem mësues e do ta mbaj unë babën”. I shkreti, nuk e pati fatin të jetojë, mbasi në moshën 8-vjeçare vdiq. Nana Hava mbeti zemër thatë.

Shkoi të takojë burrin.

-“Pse ke ardhë pa Mentorin”?- Pyeti ai menjëherë. Zemra e jeme e din se si i shqiptova ato dy fjalë të rënda, që e vranë zemrën e burrit të mjerë, po aq sa edhe zemrën teme të shkretë. I thashë:

– Djali i vetëm na ka vdekur.

Ende e kam në veshë vajtimin e tij, aty mbas hekurave të burgut:

-Mbetëm pa shpresën e zemrës, pa të ardhmen tonë”.

Kështu, një herë në javë (sa qe në burgun e Tiranës) dhe një herë në muaj (kur qe kampeve), kjo grua shkonte ta takonte e ta mbante, ndoshta ma shumë moralisht se materialisht. “Gjithmonë me strajca të mëdha që, tue qenë të rënda, i lidhja me konop, ashtu si i mbajnë malësorët”.

Diktatura nuk u mjaftua me dënimin e burrit. Edhe kur u lirua, edhe kur kaluen edhe shumë vjet të tjera, më 1976, u kujtuan për këtë familje. Me akuza falso, burrë e grua, tashmë të moshuem, u dënuan me nga 3 vjet e gjysëm, dënim që e vuajtën në Sarandë ai dhe në Elbasan, ajo. Tashti asht e vetme, se burri i vdiq më 1995, pas një paralize. Nga vuajtjet e pandame, tashti vetë asht e sëmurë, e rrethuar nga kujdesi i vllazënve, nipave e mbesave. E tillë ishte jeta e saj. Vetëm me një karakter të fortë, tue qenë trime e krenare për burrin e saj, ajo i përballoi situatat, pa u ankue. Nuk u ankue se nuk gëzoi jetën: zemra i qau për djalin dhe për fëmijë që s’pati ma votra e saj.

Xhehadije Boriçi

(1915 – 2000)

S‘kishte kalue veç një muaj që i kishte lindë djali, kur Xhehadije Boriçit i arrestojnë burrin, Feuzinë. Për 20 vjet “shtëpia” e tij u ba burgu i Burrelit. Çfarë të bënte e zeza grua? Fëmijë për të rritë, burrë për të mbajt. Ajo i dinte detyrat e veta i’u përvesh punës. Duhej të shtypte 7 kv. niseshte në ditë që të realizonte normën. Nga që rroga qe e vogël, nuk hezitoi të shesë pak nga pak plaçkat e shtëpisë; të ushqente fëmijët e të ushqente edhe burrin. Shpesh, këtij të fundit ushqimet nuk i binin në dorë.

Për Xhehadijen, si për të gjitha gratë e tjera, udhëtimi për në Burrel ishte një torturë e vërtetë. Shumica ishin gra të reja, prandaj udhëtimin e bënin në grupe. Makinat qenë të pakta. Edhe ato që ishin, vështirë se i merrnin, sepse shoferët, tue i pa ashtu të ngarkueme, e kuptonin se ishin drejtue për në burgun e Burrelit dhe nga frika e gjobitjeve në postat policore, nuk i merrnin. Kjo qe një nga arsyet, që shumicën e rrugës e bënin në këmbë. Natën e kalonin buzë ndonjë poste a buzë ndonjë shtëpie, bri rrugës.

Ndodhte që polici t’i thoshte ndonjë shoferi: “Ej, merri këto gra”. E nëse këto të mjera bëheshin gati për të hipë në kamion, ky, me shenjën që jepte polici, nisej, tue i lanë, ashtu të shtrënguara, ose tue vrapue mbas tij. Ndodhte edhe të çonte vdekjen në mend, por shpejt e mblidhte veten e thoshte: “Burri në burg, fëmijët në shtëpi. Çfarë do të bëjnë ata pa mue”! Ma në fund vinte çasti i shumëpritur i takimit. Vetëm 5 minuta, me hekurat në mes e rojet përbri. Aq kohë sa për të dorëzue ushqimet e sajueme me shumë vështirësi. Nganjëherë ato nuk ua lejonin, me pretekstin e ndonjë epidemie.

Nuk do t’i harrohet kurrë çasti, kur çoi djalin, tashmë 7 vjeç, që të takonte babën e vet. Kur i biri pa të atin, deshti t’i hidhej në qafë, ta përqafonte, por duart e pamëshirshme të rojës, e larguan me forcë. Nga sytë e të treve lotët rrodhën si shiu. Këtë s’e harron as sot i biri, tashmë burrë i pjekun, vetë babë fëmijësh. Nuk ka se si të harrohet. Ishte gjë e tmerrshme: hera e parë që shihte të atin e tij. Jo! Nuk mund të harrohet! Ndoshta, ma vonë, edhe polici mund të jetë pendue. Sido që të jetë, djali i vogël, nxënës i klasës së parë fillore, pa për herë të parë dhëmbët e diktaturës.

Kthimi për në shtëpi ishte ma i lehtë, mbasi nuk kishte gjë me vete, përveç një batanijeje, që e përdorte për t’u mbulue natën, gjithmonë e përqendrueme në mendime. Sidomos, kur merrte vesh se ndonjë nga shoqet e saj, kishte mbetur pa burrë, sepse i kishte vdekur në burg. “Asnjena nga ne, – thotë ajo -, nuk e ndau burrin, sikurse banë ma vonë shumë gra komunistësh, kur këta binin nga “fiku”. U qëndruan besnike dhe rritën e edukuan fëmijë të ndershëm e punëtorë.

Djali mundi të delte mësues, por për të caktoheshin vetëm shkollat në zonat ma të thella. Ma afër “s’e meritonte”. Deri një ditë që e pushuan nga puna. Ishin mësua me vështirësitë, skamjen e persekutimin, prandaj edhe i përballen pa u qa. Ishte Dija (Xhehadija), që u kishte mësue qëndresën. Memorie.al