‘Edi’ i kërkoi 150 mijë euro, si u mashtrua biznesmeni Salillari përmes ‘Signal’, shkodranët ranë në grepin e gjurmuesit (EMRAT)

Zbardhet mashtrimi ndaj biznesmenit Pëllumb Salillari! Neës24 raporton se mbrëmjen e 5 janarit 2023 rreth orës 22:30 të mbrëmjes në aplikacionin signal në telefonin e biznesmenit Pëllumb Salillari, pronar i kompanisë ndërtuese salillari SHPK mbërriti një mesazh nga një kontakt me emrin “Edi”.

Vetë biznesmeni Salillari i është pergjigjur pas disa minutash me fjalët “mirë shef si jeni?”, duke treguar se e ka njohur dërguesin e atij mesazhi.

“Doja me të thënë dicka, por po i them dikujt tjetër,”- ka qenë mesazhi i radhës që i është dërguar Salillarit dhe pikërisht këto fjalë kanë bërë që biznezmeni ta kuptojë se po tentonin ta mashtronin.

Për këtë arsye, vendosi të njoftonte policinë dhe të rrëfente gjithçka po i ndodhte dhe hetimi zbuloi se Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj e Sherif Kadroviç, të arrestuar që prej 7 janarit në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë.

Të tre me origjinë nga Shkodra, kishin mundur të ndërhynin në rrjetin Signal dhe të bënin të mundur që të shkruanin mesazh në mënyrë që Salillarit t’i shfaqeshin me dërgues kontaktin me emrin “Edi”. Numri që ata përdornin ishte një numër anglez që ishte marrë për të zhvatur para nga biznesmenë të ndryshëm.

Me ndërmjetësimin e policisë, Sallillari vijoi bisedën dhe la takim me personat që i shkruanin.

“Më thuaj të lutem pa problem,”- i shkruan biznesmeni ‘Edit’.

“Ia jep dot robit 150 000 euro dhe rregullohemi,”- përgjigjet ‘Edi’.

Për të bërë të mundur arrestimin e mashtruesve Salillari udhëzohet të lërë takim me ta dhe me vendim të prokurorisë, u tërhoq nga llogaria e Ministrisë së Brendshme shuma prej 150 000 eurosh, brenda së cilës u vendos GPS, për ta gjurmuar.

Në momentin e takimit, sikurse ishte lënë mes palëve, mbërrin një person në banesën e Salillarit dhe merr lekët. Në momentin kur të dyshuarit po largoheshin policia ndërhyri dhe bëri arrestimin.

Më pas gjatë kontrolleve në banesat e tyre u gjetën shuma të konsiderueshme parash, mbi 120 000 euro që të arrestuarit nuk i justifikojnë dot dhe ka dyshime se i kanë mbledhur duke kryer të njëjtin mashtrim edhe me biznesmenë të tjerë.