E FUNDIT/ KPA shkarkon nga detyra prokurorin Anton Martini…

Ditën e sotme KPA ka shkarkuar nga detyra prokurorin Anton Martini.

Shkaku i këtij shkarkimi është prokurori Martini nuk justifikoi blerjen e banesës dhe bëri deklarim të pasaktë.

Martini e kaloi me sukses shkallën e parë të ankimimit, por vendimi i u ankimua nga komisioneri publik. Në seancën e zhvilluar me 30 mars në KPA, në fjalën e tij Komisioneri Publik Florian Ballhysa u qëndroi shkaqeve të parashtruara në ankim dhe kërkoi shkarkimin e Martinit pas rivlerësimit në të tre kriteret.

Ballhysa tha në seancë se ai i qëndronte shkakut të ngritur në ankim lidhur me pagesën ose jo të një kësti prej 5 mijë eurosh për apartamentin me sipërfaqe 97.16 m2 + tarracë dhe vend garazhi në Tiranë.

Ballhysa solli në vëmendje se KPK i kishte vlerësuar si bindëse shpjegimet e subjektit se vlera 5 mijë euro nuk i ishte paguar ende shoqërisë ndërturese pasi garazhi nuk ishte dorëzuar, por shtoi se këto konkluzione nuk janë në përputhje me përmbajtjen e provave të administruara.

Ballhysa deklaroi se prokurori Martini rezultonte me balancë negative në shumën 1.9 milionë për periudhën 2003-2017.

Ndërkohë Martini dhe avokati i tij Julian Mërtiti, kërkuan rrëzimin e ankimit për shkak të shkeljes së afateve dhe pretenduan se shkaqet e referuara nga Komisioneri nuk qëndronin. Në një fjalë emocionale Martini tha se jetonte nën ruajtje prej vitit 2008 për shkak të kërcënimeve që tha se kishte marrë prej detyrës.

Anton Martini e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe është emëruar prokuror në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004.

Në vitin 2015, Martini u transferua në Shkodër nga Këshilli i Prokurorisë së kohës, vendim të cilin ai e kontestoi për parregullsi.

Në qershor 2018, ai u rikthye në ish- Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Martini u rendit i dyti nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.