Prokuroria e Shkodrës çon për gjykim dy shtetas për pastrim parash…

Shpërndaje

Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy shtetasit me inicialet G.M. dhe K.M., të akuzuar për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipas hetimeve të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 2216 të vitit 2019, dyshohet se shtetasi G.M., i cili më parë është hetuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, ka investuar dhe transferuar përfitime që burojnë nga veprimtari kriminale në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe në aktivitete të ndryshme ekonomike.

Hetimet kanë ngritur dyshime se një pjesë e këtyre veprimeve financiare dhe pasurore është kryer edhe përmes familjarëve të tij, përfshirë shtetasen K.M., e cila figuron e përfshirë në transaksione dhe zotërime pasurore të lidhura me rastin.

Gjatë procesit hetimor janë administruar të dhëna nga institucione shtetërore, banka, administrata tatimore dhe kadastra, ndërsa një ekspertim financiar ka evidentuar mospërputhje të konsiderueshme mes pasurive të deklaruara dhe të ardhurave të ligjshme të dokumentuara.

Prokuroria e Shkodrës thekson se vijon angazhimin për goditjen e pasurive që dyshohet se burojnë nga veprimtari kriminale dhe për vënien përpara drejtësisë të autorëve të dyshuar të veprave penale.

Shpërndaje