Goditje ekonomike Izraelit/ BE bëhet gati të bllokojë mallrat nga territoret e pushtuara, zbardhet prapaskena…

Shpërndaje

Komisioni Evropian pritet të paraqesë së shpejti opsionet konkrete se si të kufizojë importet e mallrave që vijnë nga vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze. Lajmi është konfirmuar për mediet ndërkombëtare nga pesë burime diplomatike në kushte anonimiteti, të cilët saktësuan se propozimi do të jetë gati përpara takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së që do të mbahet më 13 korrik.

Pas një bllokimi muajsh të tërë, ekzekutivi i BE-së është dorëzuar para presionit të vazhdueshëm të shumicës së qeverive evropiane për të goditur tregtinë me këto vendbanime, të cilat konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe një opinioni të Gjkatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).

“Shumë shtete anëtare kërkuan propozime nga Komisioni. Unë do t’i kërkoj që të përgatisë një listë opsionesh për masa të mundshme tregtare, duke përfshirë ato që synojnë parandalimin e importit të mallrave me origjinë nga vendbanimet e paligjshme”, deklaroi shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

Skandali me etiketat: Mallrat palestineze futen në BE si “Made in Israel” Alarmi është shtuar pas një raporti të fundit ku sugjerohet se produktet bujqësore të prodhuara në territoret e pushtuara hyjnë në tregun e BE-së të etiketuara gabimisht si mallra të ligjshme izraelite, duke përfituar kështu ulje tarifore. Një zëdhënës i Komisionit Evropian konfirmoi se këto mangësi po studiohen me kujdes dhe se do të ndërmerren veprime nëse vërtetohet mashtrimi, pasi marrëveshjet preferenciale i takojnë vetëm produkteve me origjinë të pastër nga Izraeli.

Shpërndaje