Diskutimi i panjohur i Tano Banushit në Komitetin Qendror: Shoku Enver, ne të estradave quhemi gazetë folëse artistike e Partisë

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror I Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një process-verbal  i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të zhvilluar më 25 maj të vitit 1978, me temë: “Mbi një gjëndjen dhe mbi disa problem që dalin për rritjen e nivelit ideo-artistik të krijimtarisë së teatrit dhe estradave profesioniste”, e cila drejtohej nga Enver Hoxha, ku asistonin edhe Ramiz Alia, sekretar i Komitetit Qendror që mbulonte propagandën, artin e kulturën, Pilo Persiteri, kandidat I Byrosë Politike dhe Drejtor i Kombinatit të Autotraktorëve, “Enver Hoxha”, zv/ministri i Arsim-Kulturës, Anastas Kondo dhe Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dritëro Agolli. Proces-verbali i plotë i asaj mbledhje të drejtuar nga Enver Hoxha, ku ishin të ftuar dhe merrnin pjesë edhe aktori dhe regjisori i famshëm i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Pirro Manit, aktorja e njohur e Teatrit Popullor, Violeta Manushi, aktori i estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, Tano Banushi, etj.   

“Teatri ynë ka një eksperiencë shumë të madhe në bashkëpunim me aktorë – dramaturgë. Gjithmonë kur kjo punë është bërë mirë, ka pasur një harmoni në mes të autorit dhe të regjisorit të teatrit, gjithmonë rezultatet kanë qenë positive. Nga ky bashkëpunim i ngrohtë, konkret dhe jo në përgjithësi, neve na kanë mbetur ose do të na mbeten shumë vepra dinjitoze në fondin e saj të artë të skenës sonë, duke filluar që nga veprat e para si “Toka jonë”, “Familja e peshkatarit”, “Cuca e maleve”, etj. Përmenda disa nga këto vepra të cilat janë mjaft serioze. Ky bashkëpunim, sidomos kohët e fundit ka ardhur duke u bërë akoma më i fortë, më konkret. Në teatrin tonë ne kemi mjaft kuadro që nuk punojnë në teatër, po që merren me shkrime dhe janë shkrimtarë. Ata jo vetëm që na ndihmojnë me veprat e tyre, por ata vijnë edhe në teatër, njihej dhe me procesin e vënies në skenë, njihen me ligjet e skenës, gjë e cila është më se e domosdoshme për autorin. Të rinjve tanë ne u kemi besuar me guxim, u kemi ndenjur shumë afër i gjithë kolektivi, organizata, ne regjisorët e vjetër dhe me të vërtetë ka pasur rezultate. Për shembull, Dhimitër Pecani, jo vetëm që deputoi me sukses në skenën tonë, po ai shkoi edhe në Fier ku dha një shfaqje të bukur për teatrin e Fierit. Përveç kësaj janë një numër i madh regjisorësh të televizionit, si Albert Minga që ka dalë nga gjiri i televizionit, i Teatrit Popullor, po kështu dhe Vladimir Prifti dhe Agim Qirjaqi. Pra duhet t’u besojmë “shkopin e dirigjentit” të rregjisorit, djemve të rinj që të çajnë përpara dhe të dalin talente, se populli ynë është shumë i talentuar”

Kështu u shpreh në mes të tjerash në diskutimin e tij regjisori i njohur i teatrit Pirro Mani, në një nga mbledhjet e Sekretariatit të Komitetin Qendror të PPSH-së e mbajtur më 25 maj të vitit 1978 e cila drejtohej nga Enver Hoxha, ku merrnin pjesë edhe Ramiz Alia, Pilo Peristeri, Anastas Kondo e Dritëro Agolli. Në atë mbledhje me temë: “Mbi një gjendjen dhe mbi disa problem që dalin për rritjen e nivelit ideo-artistik të krijimtarisë së teatrit dhe estradave profesioniste”, përveç Pirro Manit, merrnin pjesë edhe aktorja e njohur e Teatrit Popullor, Violeta Manushi, aktori i estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, Tano Banushi, etj.

Për më shumë se çfarë është folur dhe diskutuar në atë mbledhje nga Enver Hoxha, Ramiz Alia, Anastas Kondo e Dritëro Agolli, si dhe nga të ftuarit: Pirro Mani, Violeta Manushi dhe Tano Banushi, na njeh dokumenti arkivor në fjalë me process-verbalin e asaj mbledhje të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, që Memorie.al e publikon për herë të parë dhe të plotë në disa numra të rubrikës dossier.

                                               Vijon nga numri i kaluar

Proces-verbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, 25 maj 1978

“MBI GJENDJEN DHE MBI DISA PROBLEME QE DALIN PËR RRITJEN E NIVELIT IDEOARTISTIK TË KRIJIMTARISË SË TEATRIT DHE ESTRADAVE PROFESIONISTE”

SHOKU ENVER HOXHA: Do t’i bëjmë ne.

SHOQJA VIOLETA MANUSHI: Po shoku Enver, do t’i bëjmë ne, do t’i provojmë me kurajo dhe do t’i ndihmojmë ne. Dëshirë ka, po do t’i dërgoj Teatri Popullor? Vërtetë Teatri Popullor ka një kolektiv të madh, por unë mendoj që ata duhet të çajnë përpara me kurajo siç po çajmë dhe ne.

SHOKU PIRRO MANI: Teatri ynë ka një eksperiencë shumë të pasur në bashkëpunim aktor-dramaturg. Gjithmonë kur kjo punë është bërë mirë, ka pasur një harmoni në mes të autorit dhe regjisorit të teatrit, gjithmonë rezultatet kanë qenë pozitive. Nga ky bashkëpunim i ngrohtë, konkret dhe jo në përgjithësi, neve na kanë mbetur, ose do të na mbeten shumë vepra teatrale dinjitoze në fondin e artë të skenës sonë, duke filluar që nga veprat e para, si: “Toka jonë”, “Familja e peshkatarit”, “Cuca e maleve”, etj.

Përmenda disa nga këto vepra të cilat janë mjaft serioze. Ky bashkëpunim sidomos kohët e fundit ka ardhur gjithmonë duke u bërë më i fortë, më konkret. Ne teatrin tonë kemi mjaft kuadro që nuk punojnë në teatër, por që merren me shkrime dhe janë shkrimtarë. Ata jo vetëm që na ndihmojnë me veprat e tyre, por ata vijojnë në teatër dhe njihen me procesin e vënies në skenë, njihen me ligjet e skenës, gjë e cila është më se e domosdoshme për autorin. Në këtë çështje ka disa të meta që ne mund t’i korigjojmë.

Në materialin që lexuam, thuhet se një dobësi në veprat tonë të dramaturgjisë, është se në to nuk del e plotë jeta e gjallë, jeta e vërtetë. Kjo vjen, më duket mua, nga disa arsye: Vërtet në rradhët tona nga regjisorët, aktorët dhe autorët punohet për formimin ideologjik të artistëve tanë, por mendoj se në këtë drejtim kemi akoma mundësi dhe shtigje për ta bërë këtë punë akoma më mirë.

Pra duhet të thellohemi më shumë në materialet e Partisë dhe në veprat tuaja, shoku Enver, se ato do të na ndihmojnë për të shtruar drejt çështjet në dramaturgji, për të zgjidhur drejt konfliktet, që është baza e një pjese teatrale dhe do t’i shpëtojmë kështu skematizmit, ose siç tha shoku Dritëro, deklarativizmit, anës së jashtme të problemit, pa hyrë në jetën e gjallë e të vërtetë, duke e shtruar atë drejt me emocionet e forta plot dritë dhe optimizëm. Kjo është një ndër arsyet e para. Një problem tjetër që Partia e ka shtruar dhe është një çështje e vyer, është njohja e thellë e artistit me jetën e popullit dhe punën e madhe të punëtorëve tanë, që ju, shoku Enver, e theksuat edhe më 20 dhjetor 1974 në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë.

Kolektivat tona përpiqen ta realizojnë këtë nevojë të domosdoshme të shkrimtarëve dhe të artistëve tanë. Megjithë përpjekjet tona, në këtë drejtim kemi bërë pak dhe kjo punë lë për të dëshiruar. Unë mendoj se në këtë çështje në rradhë të parë, ka rëndësi organizimi i punës për zgjidhjen e këtij problem. P.sh. një shkrimtar ose një piktor, lidhet me një qendër pune, shkon përshembull, në Fier ose në Kombinatin Metalurgjik, rri atje një kohë, njihet, jeton, punon bashkë me ta, se për të shkruar një vepër dhe për të parë këtë gjallëri të madhe të jetës, duhet patjetër ta njohësh këtë jetë.

Unë nga ana ime mund të japë një shembull të thjeshtë: Kam vënë në skenë një pjesë të Fatmir Gjatës, romanin “Këneta”. Kjo vepër pasqyron masën e gjerë të vullnetarëve. Në rininë time unë kam qenë vetë vullnetar në aksionet e ndryshme, si në ndërtimin e hekurudhës: Durrës – Tiranë, Kombinatin e Tekstileve “Stalin” në Tiranë dhe e njihja atë jetë, e kisha më të lehtë për t’a mishëruar, për ta prurë këtë në skenë, se kisha jetuar vetë, i njihja ata njerëz, isha vetë një i ri pjesmarrës në këto aksione.

Njohja e jetës nuk mund të bëhet vetëm me një muaj të punës fizike që bëjmë ne gjatë një viti, ajo duhet të jetë e vazhdueshme. Artisti, aktori, regjisori, skenografi, kudo duhet të njihen me jetën e gjallë të popullit tonë. Ky problem akoma nuk është zgjidhur për kolektivat tona, se ne nuk mund të shkëputemi nga puna siç shkëputet përshembull, piktori, ose muzikanti, që fundi i fundit, ai ka një tabllo dhe do të punojë vetëm atje. Për trupat artistike kjo është një çështje që kërkon zgjidhje. Mendoj se në të ardhmen do ta zgjidhim edhe këtë.

Një problem tjetër që desha të shtoj unë, u tha këtu edhe nga shokët, është fjala për perspektivën për të ardhmen e teatrit tonë. Ne kemi sipas mendimit tim, një teatër shumë të mirë. Kemi një teatër shumë të ngrohtë, një teatër që të emocionon. Këtë e provojnë dhe shfaqjet që japim për publikon tonë dhe ato që kemi dhënë jashtë. Më kujtohet përshembull, kur kemi bërë një turne me dramën “Cuca e maleve”, në atë moment, kur fshatarët këndojnë “I qofshim falë Partisë, që na dha tokë dhe na dha lirinë”, masa e kosovarëve që ishin aty, u çuan në këmbë dhe brohorisnin për Partinë.

Teatri ynë është një teatër që të emocionin me idetë e mëdha që ka, me tabanin kombëtar. Këto kohët e fundit kur ishim në Kosovë, një aktor atje në teatër, qante. Unë bashkë me një shokun tim, e pyetëm pse qante dhe ai i lotuar për teatrin tone, tha këto fjalë: Ky është teatri i vërtetë, ky bie erë Shqipëri, se janë shqiptarë të gjithë, ndërsa ne nuk kemi teatër të tillë, për arsye se kemi ndikimet e huaja, rregullat e ndryshme, akoma ne nuk kemi arritur të kemi një pjesë teatrale të re, me kuptimin kombëtar”.

Teatri ynë ka një vlerë shumë të madhe, se është i mbështetur në tabanin kombëtar, në psikologjinë popullore, dhe artistët tanë janë shumë qëmtues, shumë të mirë në këtë drejtim, ata përpiqen që t’i njohin rolet e tyre, të njohin personazhet që interpretojnë, të njihen me shumë role të përafërta, në mënyrë që të përfaqësojnë atë që do të lozin. Ju shoku Enver, jepni një shembull për Sandër Prosin, në rolin e “Jaho Labit”. Ashtu është dhe shembuj të tillë në teatrin tonë ka. Këto janë fenomene shumë pozitive.

Përsa i përket çështjes së perspektivës si të kuadrit aktor, ashtu dhe të atij regjisor, desha të them se ne këto kuadro i marrim nga Instituti Lartë i Arteve. Është e vërtetë që marrim djem dhe vajza të talentuar, por mendoj se më me kriter duhet të bëhet zgjedhja e tyre. Nuk themi që një student mbasi të ketë kryer tre vjet Institutin e Lartë të Arteve, të mos bëhet aktor filmi apo teatri, por duam që ai të jetë aktor me perspektivë. Të vejë një vajzë e re dhe ta zëvëndësojë me dinjitetin më të madh, p.sh., Violetën, të tilla aktorë duam ne, të cilët janë me shumë talent, por janë të pamjaftueshëm. Prandaj në këtë drejtim duhet më shumë.

Shkolla tani po bën një punë shumë të mirë, Instituti i Lartë i Arteve, dega dramatike, po punon me seriozitet dhe mendoj se duhet të jetë, më i lidhur me teatrin. Studentët duhet të jetojnë në provat e Teatrit Popullor, se aty kemi aktorë shumë të mirë, me eksperiencë të madhe dhe me talente të madh. Studentët do të përfitojnë mjaft.

SHOKU ENVER HOXHA: Atje është praktika.

SHOKU PIRRO MANI: Po, shoku Enver, atje është praktika, atje është eksperienca. Përshembull, ne kemi një kurs pasuniversitar për regjisor. Ministria e Arsimit dhe e Kulturës ka vepruar shumë drejt që e ka ngritur këtë kurs, se regjisorët me të vërtetë po luajnë një rol shumë të madh, jo vetëm në teatër, për artin dramatik, por regjisori po merr pjesë edhe në ‘Koncertet e Majit’, në koncertet përfundimtare në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, në koncertet për Kongresin e VIII-të Bashkimeve Profesionale në Korçë, në Kongresin e VII-të të BRPSH-së në Elbasan.

Grupi i regjisorëve ka dhënë një kontribut të vlefshëm për të pasur atë madhështi që kishin këto aktivitetet të rëndësishme kombëtare. Është shumë e vërtetë ajo që tha shoqja Violeta, se në teatrin tonë regjisorët nuk do t’i marrim nga qielli, ata do të dalin nga gjiri i kolektivave tona. Edhe te ne si regjisorë, ndoshta ka ndodhur ndonjë fenomen jo i mirë, që të caktojnë në kursin për regjisor ndonjë anëtar të dobët, që nuk ka aftësi për të qenë i tillë. Kjo çështje nuk duhet të trajtohet kështu. Një regjisor i mire, duhet të jetë patjetër dhe një aktor i mirë, ndofta vetë ai nuk mund të luaj, por brenda në shpirt, ai duhet të jetë pa diskutim një aktor shumë mirë. Ne kështu kemi vepruar.

Të rinjve tanë ne u kemi besuar me guxim u kemi ndenjur shumë afër i gjithë kolektivi, organizata, ne regjisorët e vjetër dhe me të vërtetë kemi pasur rezultate. P.sh. Dhimitër Pecani jo vetëm që debutoi me sukses në skenën tonë, por ai shkoi edhe në Fier ku dha një shfaqje të bukur me Teatrin e Fierit. Ky është një kuadër i dalë nga Teatri Popullor, përveç kësaj janë një numër i madh kuadrosh, regjisorë të Televizionit, si Albert Minga, që ka dalur nga gjiri i Teatrit Popullor, po kështu edhe Vladimir Prifti dhe Agim Qirjaqi. Pra duhet me guxim neve t’u besojmë “shkopin e dirigjentit”, të regjisorit djemve të rinj që të çajnë përpara dhe të dalin talente, se populli ynë është shumë i talentuar. Këtë na e kanë thënë edhe të huajt që kanë parë shfaqjet e teatrit tonë. “Interesant’, na kanë thënë, ‘ju shqiptarët keni shumë të talentuar”.

Në kursin e regjisurës, më duket se po procedohet drejt, edhe në një kurs që kemi hapur në teatrin tonë. Kjo është shumë pozitive, vazhdimisht rritet procesi i provës se mësohet duke për aktorët me përvojë, por duhet aktivizuar më shumë, u duhet besuar më tepër, d.m.th. ky regjisor duhet të futet praktikisht në punë. Kështu ne do të ecim pa diskutim dhe perspektivat i kemi shumë të mëdha. Kohët e fundit na janë paraqitur në teatër vepra dramatik me vlerë. Ky hop cilësor do të bëhet pa diskutim në të ardhmen. Ai është shumë i mirë.

SHOKU TANO BANUSHI: Unë jam vetëm fare si përfaqësues i estradës në këtë mbledhje, por e ndjej veten shumë ngrohtë. Unë do të ngrej një çështje që më përpara nuk e kemi pasur shumë në rregull, por që kohët e fundit e kemi përmirësuar dhe na ka dhënë rezultate të mira. Një gjë e tillë mendoj se është thjesht jo për pengesa, por duhet të mendojmë të gjithë edhe për estradën. E kam fjalën për informimin e estradave nëpërmjet udhëheqjes së Partisë në rrethe dhe organizatës bazë të saj.

Jo thjesht për problemet e ditës, por edhe për problemet e perspektivës e të së ardhmes. Po jap një shembull: Ne para disa kohësh kishim menduar të bënim një shfaqje me titullin: “Ndalim qarkullimi për mbeturinat e huaja”. Kishim grumbulluar materialin dhe kishim filluar punën. Mendonim se shfaqja do të na dilte e mirë. Mirpo u vumë në dijeni, se për një periudhë të afërme, do të fillonte një diskutim i madh, siç filloj në të vërtetë, diskutimi popullor për problemet e kursimit.

Ne menduam se duke u nisur nga kërkesat e Partisë dhe të pushtetit në rreth, të bënim një përgjithshëm në mënyrë që ta spostonim atë që kishim nisur dhe të merreshim me problemet e kursimeve, që t’i përgjigjeshim flakë për flakë këtij problem që shtronte Partia në atë moment. Mirpo nuk e bëmë mirë këtë punë, për arsye se ne nuk ishim informuar më parë për këtë problem. Në kohën kur u informuam ne, morrëm “miell hua” nga një shfaqje tjetër, të cilën këtë e spostuam kur e arnuam, por nuk na doli mirë. Atë e përmirësuam dhe u bë një shafqje e mirë, po doli në atë kohë kur kishte shpërthyer diskutimi popullor dhe ne nuk ishim në gjendje ta paraprinim dhe të loznim një rol pararojë afër mendimit të masave.

Ndryshe ndodhi në shfaqjen tjetër kur ne ishim informuar që më parë se do të trajtohej çështja e revolucionit tekniko-shkencor. Shfaqjen me këtë tematikë ne e përgatitëm me kohë. Partia në rreth neve na ka informuar vazhdimisht, po kjo ishte një diçka që i kalonte kufijtë e rrethit. Ne u njoftuam, morrëm dijeni se Partia do të shtronte me të madhe çështjen e revolucionit tekniko-shkencor dhe ne i dolëm përpara kësaj pune. Siguruam, fjalën tuaj, shoku Enver, erdhi dhe broshura me fjalën e shokut Hekuran.

Ne mblodhëm shkenctarët, bashkëpunëtorë, e bëmë këtë punë shumë kohë më përpara. Kështu që kur filloi të shtrihej nëpër kolektiva ky problem, ne shfaqjen e kishim nxjerrë dhe po i paraprinim kësaj fushate, po kryenim me të vërtetë rolin që na takonte për të parapritë nëpërmjet artit, për të ndihmuar kështu në problemet që shtronte Partia. Këtë e them se ne quhemi gazetë folëse artistike e Partisë. Në këtë mënyrë ne realizuam më mirë detyrën që kishim.

E thashë këtë, jo se e kemi bërë mirë ne, por mendoj se shfaqjet tona të estradës mund të ndihmonin më mirë po të informoheshin më përpara, duke u nisur edhe nga fakti që të gjitha gazetat dhe shtypi e merr orientimin përpara për për problemet që do të trajtohen nga Partia, pra mendoj se duhet të gjendet një mënyrë që të informohen, ndofta jo drejtpërdrejt estradat, po nëpërmjet komiteteve të Partisë të informohen ato për tematikën e problemeve që do të shikohen në të ardhmen. Tani njëfarë eksperiencë e kemi dhe nëpërmjet artit dhe nëpërmjet artit, të luftojmë si kundër shfaqjeve të huaja, ashtu dhe për kursimet po do të jetë mirë që të ngrihen në art pikërisht ato probleme që do të shtroj Partia. /Memorie.al