Dëshmia e ish-kryebashkiakut të Shkodrës: Ne arsimtarët, na çuan në aksion për mbledhjen e fekaleve!…

Nga Filip Guraziu

Prishja e marrëdhënieve politiko – ekonomike me Bashkimin Sovjetik, dhe shtetet komuniste të Europës Lindore, mbas vjetit 1964, detyroi komunistët shqiptar që të bashkohen me Kinën e Mao Ce Dunit. Në atë kohë, delegacione të ndërsjellta vizituan Kinën Popullore e Shqipninë Socialiste dhe eksperiencat kineze për ndërtimin e rendit të ri, u propagandojshin me shumë entuziazëm në popull. Mbetet “historike”, për humorin që përmbante, përgjigja që i patën dhanë kuadrot e naltë të ushtrisë popullore kineze, shqetësimit të shokut Beqir (Balluku), në lidhje mbi mundësinë e ndonjë sulmi nga jashtë, kundër Shqipnisë (prej Paktit të Varshavës, ose imperializmit Amerikan), të cilën e tregojshin me shumë entuziazem dhe krenari kuadrot e ushtrisë shqiptare dhe të partisë në atë kohë: 

“Aspak nuk duhet të shqetësoheni, – i patën thënë ata,- sepse populli kinez, nuk ju lë vetëm! E dini ju, se Kina ka afro 1 miliard banorë? Po çfarë na kushton, neve, të dërgojmë në marrshim drejt Shqipërisë motër, njëqind milion ushtarë? Ja, ta zëmë se, na vdiqën rrugës prej lodhjes, sëmundjeve dhe aksidenteve, dhjetë milion ushtarë dhe dhjetë milion të tjerë na i vranë, prap se prap mbeten edhe tetëdhjetë milion, që vazhdojnë marshimin, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë nga armiku! Kush mund t’i dalë para kësaj ushtrie”?!

Dikush, që dëgjonte këto tregime, si përralla, ishte edhe entuziast, shumë të tjerë i ritregojshin, si punë barsolete!

Si mbas shembullit kinez, edhe në Shqipni filluan “fletë -rrufetë”, kundër “shfaqjeve të huaja”, feja u qit jashtë ligjit, kuadrot me tituj shkencor, u dërguan në “bazë”, për mos me u borgjezue”, u hoqën gradat në ushtri, kudo parulla “kundër rahatisë personale”, etj.

Në fushën bujqësore, vëmendje të veçantë mori eksperienca kineze e plehërimit, të tokave bujqësore. Shokët kinezë i treguan partnerëve të tyre, shqiptar se, në kooperativat bujqësore të Kinës përdorojshin si element bazë, për kompostimin e plehut organik, urinën dhe fekalet e kooperativistëve. “Në nji kooperativë bujqësore kineze, jetojnë miliona kooperativistë, – argumentojshin ata, – mendoni se, sa shumë urinë dhe fekale grumbullohen…”! Por, kjo kërkonte edhe organizim, ata, kinezët kishin pas ndërtuar edhe nevojtore kolektive, ku mund të kryenin nevojat personale mija persona, në të njëjtin moment dhe kështu me pak shpenzime për tubacione etj., mund t’u grumbullonte sasi e madhe e lëndës së parë, për plehun organik.

Arsyetimi i tyre ishte logjik, me vlerë dhe i pakushtueshëm; Partia urdhëroi zbatimin e eksperiencës kineze për grumbullimin e urinës dhe të fekaleve të qytetarëve si, dhe të fshatarëve, nëpër kooperativat bujqësore.

Urdhri kaloi prej lart poshtë dhe mbërriti në bazë, te brigadat kooperativiste. Duket se fshatarët shqiptarë nuk ishin të bindur për këtë lloj organizimi dhe se në organizatat bazë të partisë, kishte pas diskutime të gjata mbi temën.

Në atë kohë, askush nuk mundte me kundërshtue direkt urdhrin e partisë, por hezitimin e zbatimit të grumbullimit të fekaleve duket, se e kishin motivue me mungesën e traditës së shqiptarëve ,për këtë lloj organizimi, tue vue në plan të parë “sedrën” e fshatarit, pra, prej bazës kërkohej mirëkuptim, jo për kundërshtimin, por për mentalitetin që mbizotëronte në psikologjinë e fshatarëve!

Por, urdhri i partisë nuk mund të mos zbatohet! Plehërimi i tokave bujqësore donte me thanë shtim prodhimi, pra bukë për popullin!

Duhet të luftohet mentaliteti i vjetër, me shembullin që mund të japin intelektualët që punojnë në fshat! Pra, të ftohen mësuesit e zonës për zbatimin e aksionit të partisë, për grumbullimit e fekaleve nëpër shtëpiat e fshatarëve!

Në nji ditë të bukur nëntori, të vitit 1968, drejtori i shkollës së Gurit të Zi, në zbatim të urdhrit që kishte marrë, lajmëroi mësuesit që, të dielën e ardhme paradite ora 8.00, të ishin në shkollë (me rroba pune rezervë), për me zbatue aksionin e fekaleve, si mbas porosisë së partisë…

Ditën e diel, të gjithë mësuesit, në orën 8.00 fiks, ishin prezent para shkollës së Gurit të Zi. Organizimi i aksionit ishte ba me shumë seriozitet, mbasi qindra fshatarë kooperativistë, ishin grumbullue në fushën para shkollës, si spektator në aksionin e fekaleve. Ishin prezent edhe drejtuesit e kooperativës dhe të partisë.

Të gjithë mësuesit, me radhë, do të demostrojshin para fshatarëve, nji veprim që nuk e kishin bë kurrë në jetën e tyre: pastrimin e “gropave të zeza” të familjeve fshatare dhe  depozitimin e tyre në vendin e caktuem, për kompostim. Nën vështrimin e nji kurioziteti të pakuptimtë… deri infantil, të atyre që ishin të pranishëm dhe nëpërmes nji heshtje absolute, mësuesit si mbas radhës, kryen detyrën e tyre; gropat e zeza u pastruan në mënyrë shembullore, pa lanë në ta asnjë mbeturinë fekalesh!

Në përfundim, sekretari i Partisë uroi mësuesit për realizimin e aksionit, tue vue në dukje demonstrimin e partishmërisë së naltë, në procesin e pastrimit dhe depozitimit të fekaleve. Mbas asaj dite, kurrë ma, nuk ndjeva e as kuptova, se në kooperativën e Gurit të Zi, po grumbulloheshin fekalet prej gropave të zeza, të familjeve fshatare, për pleh organik!

Koha provoi se, ky aksion nuk paska pas asnjë rëndësi efektive por, vetëm formale, ndoshta për me dëshmue publikisht, që drejtuesit në bazë e kishin zbatue porosinë e Partisë, si mbas modelit kinez. Ato të tjerat…, si kompostimi i plehut, pjelloria e tokës bujqësore, rendimenti, buka etj., paskan qenë sa me kalue radhën…! Por, në nji drejtim aksioni i m…t, ja arriti qëllimit, dinjiteti i mësuesit u përlye me fekalet e “gropave të zeza”!

Në shoqërinë njerëzore zgjuarsia e marria bashkëjetojnë e s’kanë kufi. Njerëzit me inteligjencë normale, me të drejtë çuditen për zbulimet shkencore prej individëve me zgjuarsi mbi normale e në të njëjtën kohë po ashtu, çuditen dhe befasohen prej marrinave që të tjerë individë bëjnë.

Ngjarja që po kujtoj, sado e pabesueshme të duket, ndodhi në nji klasë të shkollës së Gurit të Zi, në fillim të vitit 1969, ku unë isha i pranishëm.

Me porosi të Partisë, organizata e Bashkimeve Profesionale të mësuesve të zonës, së Gurit të Zi, organizoi nji mbledhje me “shumë rëndësi”, së paku kështu na thanë, që do të zhvillohej në nji prej klasave të shkollës, mbas përfundimit të ditës mësimore.

Askush nuk pat entuziazëm për këtë njoftim, sepse orari i mbledhjes, përkonte me orën kur autobusi i linjës, kalonte para shkollës dhe merrte mësuesit, për në Shkodër, megjithatë “urdhri asht urdhër”, e pjesëmarrja në mbledhje ishte e plotë.

Në podiumin drejtues ishte sekretari i partisë dhe kryetari i Bashkimeve Profesionale (nivel lokal). Mbledhjen e hapi sekretari i partisë, i cili me nji fytyrë disi të mërzitur, por me zë të fortë tha:

“Të nderuem arsimtarë, sot, jemi mbledhë për nji ngjarje tepër të rëndë, me karakter moralo-politik, që ka ndodhë në zonën tonë, me protagonist mësuesin e Rragamit, me emër T.M. Me porosi të Partisë, shoqja L.S., brigadiere në Rragam, për me dhanë shembullin personal, drejt emancipimit të femrës fshatare, para dy ditëve, kishte dalë në punë e veshun me pantallona dhe me fund sipër tyre, mirëpo këtë veshje, duket se nuk e ka miratue mësuesi T.M, i cili, tue mos vlerësue porositë e Partisë (pasojë e origjinës së tij, të deklasueme politike), për emancipimin e femnës fshatare ka mbajt qëndrim të keq, tue demostrue nji veprim të pamoralshëm, tamam në momentin, kur rastësisht para tij kishte kalue brigadierja L.S.”! (në mbledhje nuk ishin të pranishëm, as mësuesi T.M., dhe as brigadierja L.S).

“Shokë arsimtarë, – vazhdoi sekretari, – sot, kërkojmë mendimin tuej për kët¥ ngjarje të shëmtueme që i kundërvihet politikës së Partisë për emancipimin e gruas si edhe për masën e dënimit për mësuesin T.M. A mundet me shërbye ma në arsim T.M, mbas kësaj ngjarjeje”?!

Heshtje në sallën e mbledhjes…, asnjë mësues nuk e mori fjalën! Ndoshta edhe për arsyen e thjeshtë, se megjithëse sekretari mbajti nji ligjëratë mjaft të gjatë, asnjani nuk e kishte kuptue se, ç’ka kishte bë konkretisht, mësuesi T.M., për me u dënue.

Mbas pak, dikush pyeti: – “Mirë, more shoku sekretar, po e japim mendimin tonë për mësuesin T.M., por çka paska pas bë, ky T.M., se nuk e kuptuem”? Sekretari tha: – “Ka demostrue sjelljen ma të poshtme, atë që s’ma bën goja, me e thane”!

Zani i dytë, prej salle: – “Thuaje, he burrë, se nuk jemi adoleshent, çka ka muejt me i bë, në sy të tanëve, mësuesi T.M., shoqes brigadiere L.S.?! Ishalla s’e ka hëngër me dhëmbë”?! Të qeshuna në sallë, situata po merrte tjetër rrugë…!

Sekretari, filloi me u bë nervoz, dhe ndërhyni me shpejtësi: – “More, a merrni vesh, se gjesti i T.M., asht kaq i ndytë, sa nuk më lejon morali me e deklarue, para jush, në  mbledhje”!

Zani i tretë, prej salle: – “A ka dëshmitar të ngjarjes kaq skandaloze, që paska bë T.M.”?

Sekretari: – “Jo nuk ka, kemi vetëm denoncimin e brigadieres, L.S.”!

Zani i katërt, prej salle: – “Po mësuesi T.M., ç’ka thotë”?

Sekretari: – “Ai, T.M., mohon gjithçka”!

Zani i pestë, prej salle: – “Asht e kotë, shoku sekretar, që kërkoni mendimin tonë për nji ngjarje, të cilën na nuk e kemi të qartë, sepse as dëshmitarë nuk ka, por s’pari fajin e keni ju, që nuk na e keni sqarue, bjeri shkurt e drejt: për çfarë gjesti, të poshtëm, akuzohet mësuesi T.M.”?!

Përballë kërkesës së drejt të sallës, sekretari ra ngusht, deshti me folë, por nuk mbërriti sepse iu morr goja, ishte bë djersë, por ma në fund, e mblodhi veten e bërtiti me zë aq të naltë, sa dikush që nuk e kishte mendjen, aspak te mbledhja, edhe u tremb.

-“Po, po…, po më detyroni…, mësuesi T.M, i ka…, i ka po…dh, brigadieres L.S.”!

Të qeshura në sallë, tashmë mbledhja ishte bë si estradë…e, kur fillon kjo situatë, hajde e ndale!

Nji zë prej salle: – “Po ndoshta…  mësuesi T.M., e ka bë me goje, dhe jo me…”?!

Përgjigje, aty për aty, prej salle: – Kjo asht edhe ma e rëndë, se nuk i ka pshtue, por e ka bë me qëllim…

Të qeshura kolektive në sallë…por, disa goditje të forta, të tavolinës, e kthyen në çast seriozitetin; ishte kryetari i Bashkimeve Profesionale, që iu drejtua sallës:

– “Shokë, ju kërkoj me e trajtue me seriozitet problemin”!

Në çast ndërhyrje prej sallës: – Po çfarë serioziteti, a e dini se, na keni mbledhë kot?  Askush nuk e vërteton “a, e  ka bë; a, s’e ka bë”, mësuesi T.M., e meqenëse nuk kemi qenë të pranishëm dhe ju nuk keni dëshmitarë, na nuk jemi të bindun për ngjarjen, pra, sot nuk mund të japim asnjë mendim, unë po çohem e shkoj, se mjaft ma…!

Kaq ishte, mbas tij u çuan të tanë në këmbë, e mbledhja përfundoi pa marrë asnjë vendim. Sekretari i partisë, nuk m’u duk se mbeti edhe aq keq për dështimin e mbledhjes, në fund të fundit, ai, e kishte bë punën e tij, si mbas urdhrit prej nalt…!