“Ç’farë më tha Cafi për Xhevdet Mustafën, para se të merrte armët me Sali Breshnin…”/Dëshmia e shokut të ngushtë të Fatmir Gushës, që u vra nga policia në ’83-in

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon dëshminë e panjohura të Myfit Tukiçit nga qyteti i Shkodrës, për ngjarjen e 23 janarit të vitit 1983, ku në qendër të qytetit të Shkodrës mbetën të vrarë dy djem të rinj, Fatmir Gusha dhe Sali Breshni, të cilët pasi kishin luftuar për tetë orë kundër forcave të policisë, ushtrisë dhe atyre rezerviste, si dhe forcave speciale (Reparti 326), të ardhura nga Tirana, u qëlluan me granata, pasi më parë një tank i vogël i Divizionit ushtarak të Shkodrës u kishte shëmbur shtëpinë ku ata ishin ngujuar aty te rrugica pas Institutit Pedagogjik, “Luigj Gurakuqi”.  Myfit Tukiçi, jo vetëm që ka qenë një nga shokët më të afërt të Caf Sustës, por ai është njeriu që e ka shoqëruar atë ditë të ftohë janari të vitit 1983 gjithë ditën dhe është ndarë i fundit me të, pas asaj ngjarje ku ai do mbetej i vrarë, gjë të cilën Cafi e kishte paralajmëruar atë pasdite me të…?

“Të them të drejtën, dukej se Cafi kishte vendosur të merrte hak rreth asaj që i kishte ndodhur me shtëpinë, ku njërën në qendër të Shkodrës ja kishin marrë dhe atë në internim në Hajmel që ishte e djegur pas konfliktit me forcat e policisë, përveç bisedave rreth punës që kërkonte të fillonte, më fliste edhe rreth problemit të shtëpisë, duke më thënë shpesh: “A e pe Myfit, si ishte bërë shtëpia”?! Po kështu, dy tre herë atë ditë më ka thënë” “Ke me ja ndi edhe njëherë zanin dhe krismën Xhevdet Mustafës, e do më kujtojsh”. Kur ma tha njëherë atë fjalë, me ne prezent ka qenë dhe shoku ynë, Ndoc Toma, por unë nuk e mendova më gjatë se çfarë do të thoshte me ato fjalë Cafi, dhe nuk ja pohova dhe as e kundërshtova”. Flet dhe dëshmon për herë të parë për Memorie.al, Myfit Tukiçi nga qyteti i Shkodrës, i cili rrëfen të gjithë historinë e bujshme të ngjarjes së 23 janarit të vitit 1983, ku dy djem të rinj nga ai qytet, Fatmir Gusha dhe Sali Breshni, luftuan rreth 8 orë kundra forcave të policisë, ushtrisë dhe atyre rezerviste, si dhe forcave speciale (Reparti 326) të ardhura nga Tirana, mbetën të vrarë nga ndërhyrja e tankut që iu prishi shtëpinë te Hysajt, ku ata ishin ngujuar në një rrugicë pas Institutit Pedagogjik “Luigj Gurakuqi” në qendër të Shkodrës. Myftit Tukiçi, jo vetëm që ka qenë një nga shokët më të afërt të Fatmir Gushës, por ai është njeriu që e ka shoqëruar atë ditë të ftohë janari të vitit 1983 gjatë gjithë ditës dhe është ndarë i fundit me të. Kjo intervistë me z. Tukiçi, vjen pas dy intervistave që Memorie.al ka botuar këto ditë, me ish-kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, Përparim Xhoxhaj, dhe atë me z. Mit’hat Gusha, njëri nga vëllezërit e Fatmirit, të cilat i kemi realizuar dhe po i publikojmë në kuadrin e zbardhjes së asaj ngjarje që për 37 vjet me rradhë u mbajtën në heshtje të plotë.

Zoti Myfit, kur e keni njohur Fatmir Gushën, apo siç njihej ndryshe nga shoqëria në Shkodër, si “Caf Susta”?

Me Cafin jemi njohur në fëmijëri dhe kemi qenë shokë të ngushtë që nga ajo kohë, ishim dhe komshi si familje në lagjen Rus në qendër të Shkodrës. Po kështu përveç kësaj ne kemi qenë bashkë dhe në burg në kampin e Bulqizës, pasi Cafi ishte dënuar përpara meje dhe unë e gjeta aty në kamp në vitin 1980-të kur u dënonva.

Përse ishte dënuar Cafi?

Cafi ishte dënuar me pesë vjet burg “prishje të qetësisë publike dhe kundërshtim të forcave të policisë”, mbaj mënd edhe gjyqtarin që e ka dënuar, i cili ka qenë Haki Kraja.

Konkretisht për çfarë i kishte kundërshtuar Cafi forcat e policisë?

Për një ngjarje që ka ndodhur në Kafe të Madhe, ku dikush theu një shishe dhe kur erdhi policia me e arrestu, sepse u bë një xhurmë e madhe, Cafi i doli për zot duke thënë se e kishte thyer ai dhe bëri debate me policinë. Kaq ishte e gjitha ajo ngjarje që ai u dënua, por duhet thënë se Cafi nuk donte me i pa me sy ata të policisë, se me ta identifikonte pushtetin e asaj kohe.

Pas lirimit nga burgu, e vazhduat përsëri miqësinë që kishit?

Patjetër që e vazhduam miqësinë dhe kujtoj që kur është liruar Cafi nga burgu në ditët e fundit të dhjetorit të vitit 1982, (pas amnistisë që u dha ku ai fitoj pak muaj, pasi pothuaj e kishte kryer të gjithë dënimin prej pesë vitesh), kam shkuar unë te Dega e Brëndshme e kam marrë me biçikletë dhe kemi shkuar në fshatin Hajmel, ku në atë kohë ishte e internuar familja e tij.

Kë gjetët nga familja e Cafit kur shkuat në Hajmel?

Aty kemi gjetur vetëm nënën e Cafit, Havanë, me nipin e vogël, pasi të gjithë të tjerët ishin  nëpër burgje e internime, pas ngjarjes së djegies së shtëpisë nga ana e vëllait të tij, Hydajetit.

Pse në atë kohë që shkuat me Cafin në Hajmel, kishte ndodhur ngjarja e djegies së shtëpisë?

Po, kishte ndodhur, kur shkuam ne Cafi pa shtëpinë të shkrumbuar pa asnjeri nga familja, (pasi i kishin internuar dhe burgosur), atij i iku truri dhe kaloi në një gjëndje shpirtërore gati depresive prej asaj që kishte shihte.

Sa ndenjët në atë shtëpi dhe ku shkuat më pas?

Atë natë kemi ndenjur në atë shtëpi të shkrumbuar gjatë gjithë natës, duke pirë nga një gotë raki me turshi, që na i solli Shan Leka, një shoku ynë që dhe ai ishte i internuar aty.

Edhe Shani ndenji me ju?

Po patjetër edhe Shani e kishim shumë shok.

Çfarë bisedash bënit, a kujton ndonjë gjë, p.sh. a flisnit kundër regjimit të asaj kohe?

Biseda të zakonshme kemi bërë, por Cafi vetëm fizikisht ishte aty me ne, se me mëndje s’ishte fare. Thashë se ishte në një gjendje tmerrsisht dëshpëruese, ia kishin dënuar vëllanë, Hydajetin dhe katandisur shtëpinë në atë gjëndje. Atë natë nuk kemi folur hapur kundra regjimit, jo se druheshim dhe kishim frikë, ne ishim shokë të ngushtë, por unë nuk doja ta mërzisja më shumë Cafin. Pra nuk doja me ja shtu më shumë atë mllef që po e mbyste.

Po të nesërmen, çfarë bëtë, ku shkuat?

Të nesërmen shkuam në Shkodër dhe kemi taku djalin e madh të Cafit, Bardhin 12 vjeçar. Qaj njëri dhe qaj tjetri, nuk di të shpjegoj se çfarë gjëndje ishin ata bab e bir atë ditë. Dhe pasi kemi ndenjur bashkë gjithë ditën, jemi ndarë nga darka, Cafi shkoj të flinte tek shtëpia e vëllait, Fahriut, i cili e kishte shtëpinë në lagjen, Perash, në katin e parë të një pallati parafabrikat. Unë ndenja pak aty te shtëpia e Fahriut dhe pastaj u largova dhe shkova në shtëpinë time.

Kur e keni takuar përsëri Cafin para se të ndodhte ngjarja e 23 janarit?

Bashkë kemi qenë edhe ditën e 23 janarit 1983 gjithë ditën dhe jemi ndarë pak para se ai të shkonte me marrë armët me Sali Breshnin dhe që ndodhi ajo që ndodhi

Si e kujtoni ditën e 23 janarit të vitit 1983, ku keni qëndruar dhe çfarë keni biseduar me njëri tjetrin?

Atë ditë si zakonisht kemi dalë e jemi taku rrugës me shokë të tjerë, por nuk jemi nda me njëri tjetrin për asnjë minut deri nga pasditja, kur u futëm te një lokal, “Pastiçeri” që ndodhej afër shtëpisë në Parrucë. Aty kemi ndenjur gjatë, duke biseduar dhe duke pirë kafe dhe nga një gotë vermut, se nuk kishte pije tjetër.

A fliste Cafi kundër regjimit, apo më saktë lidhur me ndonjë hakmarrje të tij për atë që i kishte ndodhur me familjen, siç ishte djegia e shtëpisë dhe burgosja e internimi i vëllezërve të tij?

Kujtoj shumë mirë bisedat që kemi bërë me njeri tjetrin, ai ishte dhe takimi ynë i fundit, siç thashë, kur u ndamë, Cafi ka shkuar me marrë armët me Sali Breshin dhe ndodhi ngjarja ku mbetën të vrarë. Pothuaj gjithë kohën që kemi ndenjur bashkë me Cafin atë ditë, problemi kryesor i tij ishte me fillu punë, dhe me mbajt familjen, pasi kishte gruan dhe tre fëmijë, ku më i madhi ishte Bardhi 13 vjeç. Pra, gjithë bisedat që kemi bërë atë ditë, silleshin rreth problemit të punës që donte të fillonte.

Po ndonjë fjalë tjetër për shtëpinë që i kishin djegur a ju thoshte, si p.sh. për ndonjë hakmarrje apo lidhur me armët që do merrte, a ju tha…?

Të them të drejtën, dukej se Cafi kishte vendosur që të merrte hak, pasi përveç bisedave rreth punës që kërkonte të fillonte, më fliste edhe rreth problemit të shtëpisë, duke më thënë shpesh: “A e pe Myfit, si ishte bërë shtëpia”?! Po kështu, dy tre herë atë ditë më ka thënë” “Ke me ja ndi edhe njëherë zanin dhe krismën Xhevdet Mustafës, e do më kujtojsh”. Kur ma tha njëherë atë fjalë, me ne prezent ka qenë dhe shoku ynë, Ndoc Toma, por unë nuk e mendova më gjatë se çfarë do të thoshte me ato fjalë dhe nuk ja pohova dhe as e kundërshtova për atë që po më thoshte.

Vetëm aq ju ka thënë dhe punë armësh nuk ju ka përmendur…?

Asnjë fjalë nuk më ka thënë dhe as kam ditur gjë për punën e armëve që do merrte, se në asnjë mënyrë nuk do ja kisha aprovu dhe nuk do e kisha lënë ta bënte atë veprim, nuk do isha ndarë prej tij.

Kur u ndatë atë ditë me Cafin?

Jemi ndarë aty nga ora gjashtë e pasdites kur ishte errur dhe unë ika në shtëpi.

Kur mësuat ju rreth asaj që kishte ndodhur me shokun tuaj të ngushtë, Cafin?

Rreth orës 20 e 30 të darkës në mos gaboj, kur dëgjuam pushkët dhe zhurmën e madhe që u bë, kemi dal në dritare dhe në oborr të shtëpisë, me pyet se ça janë ato krisma?

Dhe ça ju thanë, apo ç’farë flitej për atë që po ndodhte?

Njerzit ç’farë nuk thonin, por ajo që zuri vënd, ishte se: “Kishin hyrë diversantë nga Jugosllavija dhe policia i kishte rrethuar dhe po luftonte me ta”. Asgjë tjetër nuk morrëm vesh dhe as kush ishin ata që ishin të rrethuar dhe po luftonin kundra policisë, asnjë emër nuk dihej.

Kur e morrët vesh se aty ishte shoku juaj, Cafi?

Nga ora nji e gjysëm e natës kanë ardhur tek shtëpia ime, (në lagjen Rus, apo “Partizani” siç ja vunë më vonë emrin), Ismet Priku, kryetar i Komitetit Ekzekutiv në mos gaboj se ishte në atë kohë, dhe bashkë me të, ka qenë edhe një hetues me emrin, Fatos Shano, si dhe Zija Vuçaj, e disa të tjerë, të gjithë të veshur zborista, por unë ata munda të dalloj, se plus që ishte natë, por siç thashë ata ishin të veshur zborista.

Ç’farë ju thanë ata?

Ata erdhën gjithë zhurmë duke bërtitur: “Hapni derën” dhe më kishin rrethuar shtëpinë time. Kur dola në korridor, Fatos Shano që kishte ndaluar te dera e oborrit, më tha: “Ku ke qenë sot”? Unë ja tregova të vërtetën, duke i thënë se ku dhe me kë kam qenë dhe u thashë: “A të vishem…”?

Çfarë ju thanë ata pas kësaj?

Ata më thanë: “Jo, jo, po patëm nevojë, vijmë prap”. Dhe Fatosi vazhdoi: “Ç’a të ka thanë Cafi”? Dhe unë iu shpjegova se ai kishte problem me fillu punë dhe asgjë tjetër nuk më kishte thënë.

Pse erdhën ata tek ju?

Jo vetëm pse ishim shokë të ngushtë, por siç duket ata na kishin ndjekur dhe survejuar gjithë ditën dhe kanë kujtuar se jam dhe unë atje me Cafin, deri sa ata kan mbetur të vrarë, askush nuk e ka ditur se kush tjetër është aty me të.

Ju personalisht, kur e mësuat se çfarë kishte ndodhur me Cafin dhe shokun e tij, Sali Breshnin?

Të nesërmen në mëngjes kur dola nga shtëpia kam takuar afër Komitetit Ekzekutiv vëllezërit e Cafit, morra vesh gjithçka kishte ndodhur.

Pas asaj nate, a ju kanë thirrur më?

Jo, pas asaj nate nuk më kanë thirrur dhe as më trazuar më.

Tukiçi ju falenderojmë për këtë intervistë.

Ju falemdnerit juve.

Memorie.al

“Ç’farë më tha Cafi për Xhevdet Mustafën, para se të merrte armët me Sali Breshnin…”/Dëshmia e shokut të ngushtë të Fatmir Gushës, që u vra nga policia në ’83-in
Myfit Tukiçi