Buxhetet familjare, INSTAT: Vetëm 3% shkon për arsim, shumica për t’u ushqyer

Një familje me 4 persona në Shqipëri, ka një dispozicion në muaj një buxhet mesatar prej rreth 76 mijë lekësh. Gati gjysma e kësaj shume, më saktësisht 44%, shkon për ushqim dhe pjesa tjetër për nevojat e përditshme.

Instituti i Statistikave evidenton në Anketën e Buxhetit të Familjeve, ku e fundit është ajo e vitit 2018, se nga totali i buxhetit familjar, vetëm 3% shkon për arsim. Një shifër kjo që vjen duke u rritur për familjet me shumë fëmijë.

Një ndarje e tillë e buxhetit familjar tregon për një nivel të ulët të mirëqenies, ku shumica e parave të një familje shkon për t’u ushqyer dhe për nevoja të tjera bazike si qiraje, transporti etj. Ndërkohë që fëmijët janë të detyruara që në mungesë të të ardhurave, të kursejnë tek arsimi.

Të dhënat e detajuara të INSTAT-it tregojnë se gjatë tre viteve të fundit, shpenzimet e familjeve shqiptare për arsim kanë ardhur duke u ulur. Kështu, në vitin 2016, shpenzimet për arsim zinin 4.4% të buxhetit familjar, teksa zbritën në 3.9% në vitin 2017 dhe në 3% në vitin 2018.

Anketa e radhës e Institutit të Statistikave, që do të tregojë edhe për buxhetin e familjeve shqiptare dhe mënyrën sesi ai është shpenzuar gjatë vitit 2019 do të publikohet në fillim të tetorit.