Bien shtrimet dhe rastet e rënda me Covid…

Shtrimet në dy spitalet Covid kanë pësuar rënie përgjatë kësaj jave. E njëjta gjë po ndodh edhe me rastet e rënda që janë në terapi intensive. Sipas raportimeve të Ministrisë së Shëndetësisë aktualisht po marrin shërbim spitalor 153 pacientë nga 176 që ishin një javë më parë.

Rënia ka ardhur në mënyre graduale, si për shtrimet ashtu edhe për pacientet që janë në gejndje të rëndë. Nga 26 pacientë që ishin në datën 13 në terapi intensive këtë të shtunë janë vetëm 17.

Të shtruarit në spital zenë vetëm 5%  të të gjithë të infektuarve në vend. Rastet në spital janë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë.

Peshën më të madhe të shtretërve e zë Tirana me 34 pacientë, 3 prej të cilëve janë në terapi intensive, më pas vjen Fieri me 22 pacientë, 4 në terapi intensive, Durrësi me 19 të shtruar , një në terapi intensive. Dibra është qarku i vetëm që ka vetëm një person të shtruar në spitalin Covid.

Sipas mjekëve, shumica e të shtruarve janë persona që nuk e kanë bërë vaksinën antiCovid dhe nuk janë infektuar më herët me virusin pandemik.