Izolimi i qytetarëve për shkak të Covid-19 ka përgjysmuar numrin e aksidenteve rrugore, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për numrin e vitktimave.
Kjo shifër sipas INSTAT vijon të jetë e lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kufizimi i lëvizjeve për shkak të pandemisë Covid-19 ka reduktuar me 54.5% numrin e aksidenteve rrugore përgjatë muajit prill krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Ndonëse aksidentet kanë shënuar një rënie të ndjeshme numri i jetëve të humbura është reduktuar vetëm me 4 persona krahasuar me prillin e vitit 2019.
Sipas INSTAT, muajin e kaluar kanë ndodhur 51 aksidente rrugore nga të cilat kanë humbur jetën 10 persona.
Ndikuar nga ndalim-qarkullimi për rreth dy muaj edhe shifrat për katërmujorin e parë të vitit 2020 kanë një rënie me rreth 33% dhe numri i të aksidentuarve përgjatë kësaj periudhe është ulur nga 630 që ishte një vit më parë në 427.
Sjellja e drejtuesit të mjetit vazhdon të mbetet një problem pasi përgjatë muajit prill 84.3% e aksidenteve kanë ndodhur si pasojë e tyre, duke u ndjekur nga aksidentet që vijnë si pasojë e sjelljes së këmbësorëve.
Numri më i lartë i aksidenteve është shkaktuar nga mosha 25-34 vjeç, të cilët zënë 33.3% të rasteve edhe pse me një përgjysmim krahasuar me një vit më parë.