5 Maji bashkon Ramën, Metën e Ruçin…

Shpërndaje

Sot kujtohet 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të atdheut! Kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta dhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ishin bashkë në varrezat e dëshmorëve për të kujtuar të rënët e për të vendosur kurora me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”.

Një e nga një, fillimisht presidenti Ilir Meta, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryeministri Edi Rama kanë vendosur kurora me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”. Të vetëm, duke ruajtur distancimin social, pa shtrëngime duarsh, krerët e institucioneve më të larta të vendit kanë përkujtuar në këtë ditë dëshmorët e rënë në luftë.

Ndërsa, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbërritur i vetëm në varrezat e Dëshmorëve, në përkujtim të të rënëve në luftë.

Për herë të parë, në ceremoni nuk kishte as veteranë, kjo në kuadër të masave të marra për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Kjo është edhe dalja e parë publike e tre shtetarëve më të lartë në vendin tonë pas periudhës së shpërthimit të pandemisë së koronavirusit. Gjithashtu Ruçi, Meta dhe Rama shfaqen së bashku edhe pas debateve të shumta që kanë pasur mes tyre në lidhje me ligjet e shumta, si dhe për dekretet për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.  Mes Ramës dhe Metës pati akuza të ashpra, ndërsa mazhoranca iu rikthye me shpejtësi çështjes së shkarkimit të presidentit, duke rivënë në punë komisionin hetimor parlamentar.

Por situata e pandemisë dhe gjendja e fatkeqësisë ka bërë që Rama dhe Meta të shkrijnë akujt dhe të japin sinjale bashkëpunimi. Vetë kryeministri ka vlerësuar rolin dhe qëndrimin e presidentit që po mban këtë kohë, duke e cilësuar se është bërë njësh me popullin dhe jo me opozitën.

Shpërndaje